Kërkohet paraburgim ndaj pesë personave nga Prizreni për falsifikim të para
BKT
Kronika

Kërkohet paraburgim ndaj pesë personave nga Prizreni për falsifikim të para

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve B.B., T.P., V.Z., L.E. dhe A.P., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë” .

Sipas kërkesës, i pandehuri B.B. gjatë muajit tetor deri në fillim të muajit nëntor të vitit 2021, në kohë të pavërtetuar, në Prizren, është vërtetuar se me dashje posedon para të falsifikuara, me qëllim të vënies në qarkullim të tyre si të vërteta.

“Përgjatë periudhës së lartpërmendur i shet të pandehurit T.P. 1.250.00 € të gjitha në monedha metalike nga 2 €, me qëllim që ky i fundit t’i vërë të njëjtat në qarkullim si të vërteta, me ç’rast i pandehuri T.P. pajtohet që t’i blejë të njëjtat për shumën e parave prej 900.00 €, duke i paguar në mënyra periodike, ashtu që herën e parë për 300.00 € false paguan 200.00 € origjinale, ndërsa herën e dytë për 400.00 € false paguan 300.00 € origjinale, derisa në herën e tretë për 550.00 € false paguan 400.00 € origjinal, ashtu që në total i pandehuri B.B. arrin t’i shesë 1.250.00 € false”, thotë Prokuroria.

Sipas Prokurorisë, në këtë mënyrë B.B. ka kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë” .

“Ndërsa, të pandehurit T.P., V.Z., L.E. dhe A.P., gjatë periudhës së muajit tetor deri në fillim të muajit nëntor të vitit 2021, në intervale të ndryshme kohore, me dashje dhe në bashkëkryerje, është vërtetuar se kanë vënë në qarkullim paratë e falsifikuara si të vërteta, në atë mënyrë që në cilësinë e punëtorëve si kamerierë në njërin prej lokaleve të gastronomisë në Prizren, paratë e falsifikuara, të cilat i pandehuri T.P. i kishte siguruar nga i pandehuri B.B., në intervale të ndryshme kohore, i pandehuri T.P. ua dorëzon kolegëve të tij – këtu të pandehurve V.Z., L.E. dhe A.P., me qëllim që të njëjtët t’i vënë në qarkullim paratë e falsifikuara si të vërteta, ashtu që i pandehuri T.P. mban paratë e falsifikuara në veturën e tij të markës ’VW Polo’, e parkuar në bodrumin e njërës prej Qendrave Tregtare në Prizren, nga e cila veturë i njëjti së bashku me kolegët e tij – të pandehurit V.Z., L.E., dhe A.P., në mënyra periodike marrin nga 100 € të falsifikuara – të gjitha në monedha metalike nga 2 € dhe të njëjtat i vënë në qarkullim si të vërteta në drejtim të klientëve të ndryshëm të cilët kanë vizituar lokalin në fjalë, ku secili prej të pandehurve si shpërblim kanë ndarë nga 25 € (njëzet e pesë euro) origjinale në pjesë të barabarta, me ç’rast policia e Kosovës pas zbatimit të urdhër-kontrollit arrijnë t’i gjejnë 195 monedha metalike nga 2 € në veturën ’VW Polo’, në pronësi të të pandehurit T.P., dhe një shumë tjetër të konsiderueshme parash të falsifikuara nga 2 € nëpër kuletat e pazarit ditor të të pandehurve, me ç’rast në total, policia arrin të sekuestrojë nga të pandehurit 390.00 € (Treqind e nëntëdhjetë euro) false”, potencon Prokuroria.


MË SHUME NGA Kronika