Parregullsitë gjatë votimit që u raportuan në polici
Dy parregullsi gjatë raundit të dytë të votimit janë raportuar në policia të dielën.
Në raportin 24 orësh të policisë bëhet e ditur se parregullsitë kanë ndodhur në Kamenicë dhe Junik.
Në Kamenicë janë arrestuar dy të dyshuar pasi kanë blerë vota nga qytetarët.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë nën dyshimin se të njëjtit në bashkë-veprim kanë bërë blerje të votave nga qytetarët në shpërblim të hollave . Me vendim të prokurorit dy të dushkuarit janë dërguar në mbajtje, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin e policisë.
Ndërsa rasti është cilësuar dhënie dhe marrje e ryshfetit lidhur me votimin.
Kurse në Junik të Pejës është arrestuar një person pasi që ka penguar procesin e votimit.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se i njëjti në qendër të votimit ka penguar procesin e votimit si dhe kishte kanosur edhe përgjegjësin e qendrës së votimit viktimën femër kosovare. I njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin 24 orësh.
Rasti në Junik po cilësohet si pengim i procesit të votimit dhe kanosje.























