MKRS dhe UNDP do të rinovojnë objekte të trashëgimisë kulturore në Janjevë
BKT
Kosovë

MKRS dhe UNDP do të rinovojnë objekte të trashëgimisë kulturore në Janjevë

Qyteti i Janjevës është vendbanim i vjetër i Kosovës që po përballet me humbje të trashëgimisë kulturore paralelisht me problemet socio-ekonomike dhe zvogëlimin e popullsisë.  

Në kuadër të Marreveshjes financiare për fondet IPA, 2020, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, është përfshirë edhe fusha e Trashëgimisë Kulturore. Në kuadër të  kësaj fushe përfshihet zbatimi i punimeve të ruajtjes dhe forcimit të infrastrukturës turistike të objekteve të trashëgimisë, veçanërisht përmes investimeve në infrastrukturën e turizmit, asistencës për zhvillimin institucional të turizmit dhe asistencë profesionale për investime që do të rrisin ofertën e produkteve të turizmit. 

Mbështetja për Turizmin dhe Trashëgiminë Kulturore  në veçanti për projektin e Janjevës zbatohet me menaxhim indirekt me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP). 

Sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit u nënshkrua marrëveshje bashkëpunimi me UNDP-në në Kosovë, për mbrojtjen e trashëgiminë kulturore të Janjevës, për përmirësimin e kushteve të jetesës së banorëve dhe promovimin e turizmit kulturor.

Restaurimi do të përfshijë ndërhyrje fizike në shtëpi të përzgjedhura në qendrën historike të Janjevës dhe përpilimin e një oferte kulturore që do të kontribuojë në ringjalljen socio-ekonomike të Janjevës.

Ministri Hajrulla Çeku theksoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit për mbrojtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore, si një potencial për zhvillim socio-ekonomik: "Mbrojtja e trashëgimisë kulturore si vlerë e përbashkët e cila kontribuon në forcimin e ndjenjës së përkatësisë dhe identitetit tonë, duhet të trajtohet si një proces kompleks i cili fillon me mbrojtje ligjore, vlerësim profesional dhe ndërhyrje fizike. Ky proces kompleks vazhdon me ngritje të kapaciteteve njerëzore, e të vetëdijes për rëndësinë dhe rolin e trashëgimisë, deri te mekanizmat e menaxhimit efikas që do të sigurojnë ringjalljen socio-ekonomike dhe një zhvillim të qëndrueshëm lokal. Në këtë drejtim jemi të kënaqur që projekti për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Janjevës i përfshin të gjitha komponentet."

Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Kosovë, Maria Suokko, foli për synimet e përbashkëta të këtij partneriteti: "Sot po e vazhdojmë partneritetin me Ministrinë e Rinisë, Kulturës dhe Sportit në mbështetje të ringjalljes socio-ekonomike të Janjevës. Puna jonë e përbashkët, e cila do të financohet edhe nga BE-ja, do të promovojë trashëgiminë kulturore fizike dhe shpirtërore si një urë lidhëse për kohezionin social përmes angazhimit të komunitetit. Ne synojmë të krijojmë një mjedis për gratë dhe të rinjtë për të zhvilluar aftësi dhe për të fituar përvojë pune që çon në fuqizimin ekonomik. Ne e vlerësojmë shumë partneritetin me Ministrinë që po forcohet përmes kësaj marrëveshjeje financimi, dhe do të punojmë së bashku me të gjithë partnerët për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë e pasur kulturore të Janjevës. Me këtë rast e falemnderoj edhe komunën e Lipjanit për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm." 

Mbështetja financiare e MKRS-së për këtë projekt është në vlerë prej 1.4 milionë eurosh, kurse zbatimi është planifikuar për vitet 2021-2024.

 


MË SHUME NGA Kosovë