I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet një shtetas në Morinë
Kronika

I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet një shtetas në Morinë

Policia e Shtetit bën të ditur se, është vënë në pranga një shtetas, me qëllim ekstradimi drejt Francës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “vjedhje me dhunë” dhe “grup i strukturuar kriminal”.

“Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar B. R, 44 vjeç, banues në Doberçan, Kosovë”, bën të ditur Policia.

“Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Paris, Francë, pasi Tribunali Gjyqësor i Mulhouse Francë, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale “vjedhja me dhunë” dhe “grup i strukturuar kriminal”, informon Policia.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e sektorit për hetimin e krimit në DVP Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Francës, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957./rtsh