​Zbulohen dy laboratorë për prodhimin e kriptovalutave
Kronika

​Zbulohen dy laboratorë për prodhimin e kriptovalutave

Policia e Durrësit ka arritur të zbulojë dy laboratorë për prodhimin e kriptovalutave në fshatrat e Shijakut, ka vënë në pranga 3 persona, ndërsa ka shpallur në kërkim 4 të tjerë.

Bëhet e ditur se në pranga janë vënë shtetasit A. Ç, 26 vjeç dhe Rr. D, 36 vjeç, banues në Tiranë, si dhe L. Xh, 23 vjeç, banues në Lushnje, ndërsa janë shpallur në kërkim shtetasit E. H., M. Gj, E.H dhe Th. Z, banues në Tiranë.

“Nga hetimet e kryera nga “Njësia C – për Hetimin e krimeve kibernetike në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës rezultoi se këta shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e dy strukturave për prodhimin e kriptovalutave të cilat krijohen me anë të futjes dhe ndryshimit të të dhënave kompjuterike në pajisje elektronike, duke krijuar përfitime monetare si dhe shmangien e procedurave ligjore në lidhje me detyrimet ndaj shtetit, por dhe funksionimin e rregullt të këtij aktiviteti për sa i përket të ardhurave duke shfrytëzuar, keqinterpretuar dhe keqpërdorur hapësirat ligjore”, thuhet në njoftimin e policisë.

Një strukturë ishte ngritur në fshatin Pjezë, Shijak dhe struktura tjetër në fshatin Fllakë, Shijak./A2