Vazhdon raportimi i rasteve të dhunës në familje, 6 vetëm brenda një dite
Kronika

Vazhdon raportimi i rasteve të dhunës në familje, 6 vetëm brenda një dite

Policia e Kosovës ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë raportuar pesë raste të dhunës në familje.

Sipas policisë, në Prishtinë është arrestuar një person pasi e kishte sulmuar fizikisht ish-gruan e tij. Me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje.

“Prishtinë 25.01.2022 ─ 03:39. Është arrestuar i dyshuari mashkull  kosovar pasi që i njëjti e kishte sulmuar fizikisht ish bashkëshorten e tij, viktimën femër kosovare. Viktimës i është ofruar trajtim mjekësor ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit. është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim..

Në një rast tjetër në Prishtinë është arrestuar një person për shkak të problemeve të vazhdueshme me gruan e tij. Edhe ky me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

“Rr. Spiro Mojsiu, Prishtinë 19.01.2022 ─ 08:00. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se, në vazhdimësi ka probleme  me bashkëshortin e saj, të dyshuarin mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit. është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, në Ferizaj një grua ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj nënës së saj. Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.

“Ferizaj 15.12.2021 ─ 14:00.  E dyshuara femër kosovare ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj nënës së saj. Me vendim të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, ka njoftuar policia.

Në Klinë poashtu u arerstua një person pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj vazjës së tij të mitur.

“Lagjja Drenica, Klinë 25.01.2022 – 16:18.  Është arrestuar i dyshuari mashkull  kosovar pasi që dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj vajzës së tij, viktimës femër kosovare- e mitur. Viktima pas trajtimit mjekësor nuk ka pranuar të kthehet në shtëpi dhe e njëjta është vendosur në shtëpi të sigurt. Pas intervistimit me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt”, ka njoftuar policia.

Në Pejë janë arrestuar dy persona pasi në gjendje të dehur janë rrahur mes veti e më pas njëri e ka sulmuar fizikisht gruan e tij.

“Rr. Lekë Dukagjini, Pejë 25.01.2022-21:00. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit nën ndikimin e alkoolit, janë rrahur mes veti si dhe njëri prej tyre e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten tij viktimën femër kosovare,  me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, njofton Policia.

Ndërsa në Rahovec u intervistuan dy bashkëshortë për shkak se pas një mosmarrëveshje në familje, lëndime pësoi vajza e tyre. Edhe ky rast ka shkuar në procedurë të rregullt.

“Rahovec 25.01.2022-22:30. Pas një mosmarrëveshje në familje , mes bashkëshortëve të dyshuar mashkull dhe femër kosovar-e, lëndime trupore ka pësuar vajza e të dyshuarit viktima femër kosovare. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.