Sekuestrohen 12.700 euro në Morinë
Kronika

Sekuestrohen 12.700 euro në Morinë

Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë evidentuan një rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi dhe sekuestruan 12.700 euro, 2150 dinarë të Maqedonisë së Veriut dhe 100 franga zvicerane.

“Në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut dhe kontrolleve me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Benz” , me drejtues shtetasin A. K., 34 vjeç, banues në Slloveni”, informon Policia.

“Gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e tij të dorës, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 12.700 euro, 2150 dinarë të Maqedonisë së Veriut dhe 100 franga zvicerane, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar”, bën të ditur Policia.

Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Kukës, u procedua penalisht drejtuesi i mjetit, shtetasi A. K., 34 vjeç, banues në Slloveni, për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi”.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme./atsh


MË SHUME NGA Kronika