Lumezi takon ambasadorin De Riu: Prioritet intensifikimi i bashkëpunimit
Kosovë

Lumezi takon ambasadorin De Riu: Prioritet intensifikimi i bashkëpunimit

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka pritur në takim Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu.

De Riu i shoqërohej nga eksperti i Guardia di Finanza, Giampiero Carrieri dhe eksperti i sigurisë, Enrico Gurnari. 

Fillimisht, Kryeprokurori Lumezi, njoftoi Ambasadorin italian dhe ekspertët përkatës për punën, rezultatet dhe sfidat e Prokurorit të Shtetit në trajtimin e lëndëve penale.

Poashtu, pjesë thelbësore e diskutimeve të përbashkëta ishte angazhimi i Prokurorit të Shtetit në forcimin e sundimin të ligjit, me theks të veçantë në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, sekuestrimin dhe ngrirjen e pasurisë së kundërligjshme, mbështetjen institucionale të investimeve të ndërsjella si dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në çështjet e drejtësisë.

Në këtë kontekst, palët patën diskutime të frytshme për mundësinë e mbajtjes së trajnimeve të specializuara dhe vizitave studimore për prokurorët në fushën e hetimeve financiare, përkatësisht në trajtimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, krimeve ekonomike dhe rastet e terrorizmit. 

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, falënderoi Ambasadorin e Italisë, Antonello De Riu, si dhe ekspertin e Guardia di Financa-s, Giampiero Carrieri dhe atë të sigurisë, Enrico Gurnari, për vizitën e zhvilluar në institucionin e Prokurorit të Shtetit, me ç’rast vlerësoi lart ndihmën dhe përkrahjen që Italia e ka dhënë dhe vazhdon ta japë në forma të ndryshme për konsolidimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

Në fund, bashkëbiseduesit, vlerësuan takimin si mjaft të dobishëm, produktiv dhe konkret për intensifikimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.