Bllokohen në Ankona 70 ton materiale ndërtimi nga Shqipëria
Kronika

Bllokohen në Ankona 70 ton materiale ndërtimi nga Shqipëria

Autoritetet doganore italiane të portit të Ankonës kanë sekuestruar rreth 70 ton materiale ndërtimi të ardhura nga Shqipëria.

Çimento, bojë, rrjeta metalike për ndërtim janë gjetur në brendësi të tre automjeteve të mbërritura nga një anije e ardhur nga Shqipëria.

Materiali i ndërtimit importohej për llogari të tre firmave italiane të ndërtimit e ishte pa dokumentacionin e rregullt pasi i mungonte certifikimi i markës CE e origjina e prejardhjes së kësaj ngarkese e vendi i fabrikimit e prodhimit të tyre.

Gjithsej janë sekuestruar 68 800 kg materiale ndërtimi për llogari të tre firmave italiane me bazë në Monza, Brianza e Brescia.

Autoritetet doganore e financiare të Portit të Ankonës informojnë se importimi i materialeve pa certifikimin e markës CE e dokumentimin e prejardhjes, vendprodhimin e fabrikimin e tyre dëmton korrektësinë e tregut dhe mashtron klientët mbi prejardhjen e materialeve të përdorura.

Në respekt të mbrojtes së konsumatorëve, si dhe të mbrojtjes së prodhimeve Made in Italy si dhe konkurrencës së lirë në treg,  e gjithë ngarkesa e importuar nga Shqipëria është sekuestruar.

Përgjegjësit rrezikojnë një gjobë administrative nga 10 mijë në 250 mijë euro./oranews