Arrestohen 2 persona e konfiskohen mbi 26 kg drogë në Mitrovicën e Veriut
Hetuesit policorë nga Njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit më Narkotik (DHTN)-Mitrovicë Veri, pas një aktiviteti hetimor, kanë ardhur deri te zbulimi i një lokacioni ku dyshohej se funksiononte një laborator i narkotikëve.
"Sot, më 25.02.2022, pas marrjes së një urdhri verbal nga gjykatësi i procedurës
paraprake, policia ka realizuar kontroll në lokacionin e dyshuar në pjesën veriore të
Mitrovicës. Gjatë kontrollit, policia ka hasur në laboratorin ku janë gjetur dhe
sekuestruar: 26 kilogram e 216 gram marihuanë, 355 rrënjë të bimëve të mbjella në
saksi si dhe dëshmi të tjera (gypa ventilimi, ventilator, drita ndriçuese, ngrohëse,
instrumente për matjen e temperaturës, pesticide si dhe pajise tjera përcjellëse).
Vlera e lëndës narkotike të konfiskuar është mbi 50.000 (pesëdhjetëmijë) euro.
Nën dyshimin e kryerjes se veprës penale ‘prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike’, janë arrestuar dy të dyshuar: S.R., (viti i lindjes 1979, mashkull kosovar) dhe B.B., (viti i lindjes 1990, mashkull kosovar)", thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe me aktvendim nga ai dy të
dyshuarit dërgohen në mbajtje deri në 48 orë.























