VIDEO-Restelica: Qytetarët e Prishtinës të kënaqur me ‘Prishtina Parking’
RTKlive
NPL “Prishtina Parking” Sh.A. ka dy vite që po menaxhon dhe mirëmban trafikun (parkingjet) në Komunën e Prishtinës, duke ofruar shërbime inovative të lehta të parkimit, të pagesës dhe kontrollit për t’i përmbushur nevojat e gjithë qytetarëve.
Kryeshefi ekzekutiv i ‘Prishtina Parking’, Liridon Restelica, sot ishte i ftuar në RTK, i cili ka folur për funksionimin e ndërmarrjes publike si: për pagesat, ankesat dhe problemet.
“Jam shumë i kënaqur me funksionimin e “Prishtina Parking”, jemi ndërmarrje stabile dhe deri më tani nuk kemi pasur asnjë padi, ndonjë ankesë kemi pasur nga qytetarët, por në përgjithësi jemi të mirëpritur në Prishtinë”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit "Mirëmëngjesi Kosovë", në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Restelica ka paralajmëruar se do të ketë shërbime për parking edhe në lagje të tjera të Prishtinës dhe kjo sipas tij do të krijojë më shumë kushte për banorët e Prishtinës.
“Unë do të kërkojë nga Komuna e Prishtinës, ndryshim të rregulloreve. Ka kërkesa nga banorët që janë ankuar që orari i punës të rritet deri në ora 23:00. Ka banorë që janë ankuar se edhe pse kanë paguar parkingun, ata nuk kanë mundur të gjejnë parking për shkak se ne menaxhojmë deri në orën 19:00. Presim mirëkuptim nga Komuna e Prishtinës”, tha Restelica. (A.BELA)























