Vajza e aksidentuar në Fushë Kosovë, në gjendje të rëndë (E plotësuar)
BKT
FOTO: G.H
Kronika

Vajza e aksidentuar në Fushë Kosovë, në gjendje të rëndë (E plotësuar)

Jeton Musliu / RTKlive.com

Për gjendjen shëndetësore të të aksidentuarës sot në magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë, RTK është interesuar të mësojë edhe nga mjekët në Qendrën klinike Universitare të Kosovës.

"Para një ore është pranuar një rast i  lënduar në aksident trafiku. Ajo është 20 vjeçare”, tha Naser Syla, drejtor i Qendrës Emergjente në QKUK.

“Ajo ka  lëndime të rënda trupore nga aksidenti në komunikacion”, tha Syla për RTK-në.

Sipas tij, deri tani, pacientes i janë bërë analizat dhe ekzaminimet e nevojshme në Qendrën Emergjente.

“Gjendja e pacientes është shumë e rëndë dhe e njëjta  është në rrezik të lartë për jetë”.

 Sipas rezultateve dhe analizave, mjeku deklaron se mjekimi i pacientes  do të vazhdojë në mjekim intensiv.

Ora 12:30

Policia e Kosovës e konfirmoi më vonë gjatë ditës aksidentin e rëndë të trafikut, kur një automjet me shpejtësi, goditi një person të gjinisë femërore, në magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë. 

“Rreth orës 11:00,  në rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë, ka ndodhur një aksident trafiku ku është  përfshirë një automjet në lëvizje dhe një këmbësore”, deklaron policia.

“Si pasojë e aksidentit, lëndime trupore ka pësuar këmbësorja e  cila është dërguar për tretman mjekësor”

Polica konfirmon se me rastin po merret njësiti i trafikut, të cilët përveç që po hetojnë  rrethanat  e këtij aksidenti, janë duke punuar në identifikimin e personit.

“Ngasësi i automjetit të përfshirë në aksident,   ka ikur nga vendi i ngjarjes”, deklaroi policia.

Më herët gjatë ditës, RTKlive.com, raportoi për këtë aksident.

Ora 11:20

Një aksident i rëndë komunikacioni ndodhi në magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë, në mëngjesin e së dielës.

Një vajzë rreth të 20-tave, është goditur rëndë nga një automjet që lëvizte me shpejtësi nga drejtimi i Prishtinës  në drejtim të Fushë Kosovës.

Aksidenti ndodhi rreth orës 11:00, pak para mbërritjes tek rrethrrotullimi i dytë në këtë magjistrale.

Qytetari G.H  i cili ka rastisur në vendin e ngjarjes, ka dërguar fotografitë për RTKlive.com, ku vajza e goditur nga automjeti , shihet  e shtrirë në asfalt.

Ajo ishte duke kaluar rrugën nga ana e djathtë  në të majtën, dhe në atë vend nuk ka  vendkalim kurse rruga përbëhet gjithsej nga gjashtë korsi .

Edhe pse vozitësi ka shkaktuar një aksident, qytetari i cili ishte në vendin e ngjarjes, rrëfen për RTKlive.com se ai është larguar me shpejtësi, pa u ndalur që t’i japë ndihmën e parë të aksidentuarës.

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes kurse ndihma e shpejtë ka mbërritur pas më shumë se 20 minutave.

Ndërkohë, sipas Policisë së Kosovës, vetëm në 24 orët e fundit, kanë ndodhur 15 aksidente me të lënduar, kurse janë shqiptuar 1.630 gjoba për ngasësit në trafik.


MË SHUME NGA Kronika