Një libër mjekësie deri 120 euro, shkak TVSH-ja e lartë
Valbona Tahiri / RTK
Tatimi mbi vlerën e shtuar për librin në Kosovë është 8 për qind. Derisa për librat e fëmijëve me ilustrime iu shtohen edhe 10 për qind doganë, e cila gjë e bënë librin më të shtrenjtë.
Për këtë qytetarët dhe vetë librashitësit kërkojnë që premtimet e bëra nga secila qeveri ndër vite për heqjen e TVSh-së për librin të jetësohen.
Libri thuhet se nuk ka çmim por për studentët librat shkencor, gjegjësisht ata të mjekësisë shpesh herë nuk mund t’i blejnë, pasi një libër mund të jetë deri në 120 euro.
“Ky është problem më i madh që shumica e familjeve te ne janë me ekonomi mesatare, shfrytëzimi i literaturës është shumë i shtrenjtë”, thotë studenti Arianit Osmani.
Edhe qytetarët të cilët janë lexues të rregullt të librave vënë në dukje se çmimet e librave janë të larta përballë ekonomive familjare, të cilat shpesh herë nuk munden t’i përballojnë.
Andaj nga kjo të paktën ata kërkojnë largimin e TVSH-së për librat. “Tvsh ia vlen të largohet sepse është edhe krizë ekonomike…unë jam pensionist, nuk është shtrenjtë, po 1 euro me qene pak me lirë do të ishte mirë”, thotë Hysen Fazliu, qytetar nga Prishtina.
TVSh-ja për librin ishte larguar në vitin 2014 për gjashtë muaj, por ishte rikthyer ërish.
Librashitësit kërkojnë që premtimet e bëra nga secila qeveri ndër vite për heqjen e TVSh-së për librin të jetësohen.
“Po libri ka TVSh e cila është 8% dhe e paguan klienti, e librat me ilustrime në doganë iu shtohen 10 % doganë, edhe 8 % TVSh,…e me këtë janë shumica e librave të fëmijëve…e në anën tjetër të gjithë themi se sa mirë është të lexosh”, thotë Iliriana Hasaj, në njërën nga libraritë e mëdha në kryeqytet.
“Është largu njëherë dhe ka qenë shumë lajm i mirë dhe prap është kthy, jemi i vetmi vend që e ka koston më të lartë të TVSh për librin. Në Ballkan Maqedonia e ka 3%, Shqipëria 6%...”
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, në përgjigje me shkrim për RTK-në, tha se ekzekutivi është duke e trajtuar çështjen e TVSh-së për librin.
Libri shënon edhe një ditë botërore, e cila është 23 prilli. Në këtë datë përkujtohet libri, rëndësia e leximit dhe të drejtat autoriale.























