Fushë Kosova në terr! KEDS-i: Ka prishje
Shkurta Rrahmani / RTKlive.com
Pjesa dërrmuese e Fushë Kosovës ka mbetur pa rrymë tash e disa orë. Sipas banorëve të kësaj komune ata po përballen me mungesë të energjisë elektrike prej më shumë se 8 orësh.
Lagjet të cilat momentalisht raportohet për mungesë të energjisë elektrike janë banorët që jetojnë në rrugët “Dardania”, "Vëllezërit Gërvalla" dhe një pjesë e rrugës "Nënë Tereza".
Ndërkohë, të kontaktuar nga RTKlive, zyrtarët e KEDS-it kanë thënë se në këtë pjesë ka prishje.
“Po në atë pjesë ka prishje, pasi ka ndodhur një lidhje e shkurtë me tokën. Ekipet tona kanë dalë në terren dhe janë duke intervenuar për sanim sa më të shpejtë të gjendjes”, kanë thënë nga KEDS-i.
Ata kanë thënë se prishja ka ndodhur pak para orëve të mbrëmjes, ndonëse qytetarët kanë raportuar për mungesë të rrymës që nga orët e mesditës.























