Në ditë feste, 2 të vdekur e 51 të lënduar në aksidente trafiku
Arlinda Sejda/RTK
Bilanc i rëndë aksidentesh rrugore është regjistruar të hënën e 2 majit në Kosovë. Në ditën e festës së Fitër Bajramit, dy persona humbën jetën e mbi 51 të tjerë u lënduan rëndë e lehtë, si pasojë e aksidenteve në disa rrugë të vendit.
Rasti më tragjik ndodhi në aksidentin e orëve të pasdites në fshatin Gllobar të Drenasit, ku një grua dhe një fëmijë 7 vjeç nga Skenderaj, humbën jetën kurse tre të tjerë u lënduan.
Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, i prekur thellësisht nga ky rast tragjik, deklaroi se “bashkë ndjejmë me dhimbjen me familjet dhe lutemi për shërim të shpejtë të të lënduarve”.
Në anën tjetër, Naser Syla, drejtor i Qendrës Emergjente në QKUK, në deklarim për RTK-në, tha se shifra te personave të lënduar nga aksidentet në Kosovë ishte e lartë.
“Përveç dy të vdekurve, 51 persona kanë kërkuar ndihmë në këtë klinikë, si pasojë e aksidenteve në trafik”, tha Syla për RTK-në.
E këta të lënduar janë vetëm ata që kanë kërkuar ndihmë në QKUK në Prishtinë, pa llogaritur numrin e të lënduarve të tjerë që mund të kenë kërkuar tretman mjekësor në spitalet rajonale sikurse në rastin e Gjilanit.
Shtatë persona të tjerë janë lënduar në një aksident trafiku që ndodhi në magjistralen Prishtinë-Gjilan.
Sipas policisë në aksident janë përfshirë dy vetura.
“Informacionet e para bëjnë të ditur se në aksident janë përfshirë dy vetura, ndërkaq shtatë persona janë lënduar, të cilët janë dërguar në qendrat më të afërta mjekësore si dhe në QKUK – Prishtinë, për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor”, tha zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Policia deklaron se numri më i madh i aksidenteve ka ndodhur për shkak të pakujdesisë si pasojë e reshjeve të shiut dhe mos përshtatjes së shpejtësisë ndaj kushteve atmosferike.
Sidoqoftë, për aksidentin tjetër që ka ndodhur në fshatin Abri e Epërme në vendin e quajtur Garrapole, të komunës së Drenasit, policia deklaron se është duke hetuar shkaqet.
“Në aksident janë përfshirë pesë automjete dhe për pasojë dhjetë persona kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor, përderisa janë shkaktuar dhe dëme materiale”, tha zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci
Aksident tjetër ndodhi edhe në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, përkatësisht në fshatin Stanovc, ku sipas policisë, tre persona kërkuan ndihmë mjekësore.
Bilancit tragjik që ndodhi rrugëve të vendit, të hënë iu shtuan edhe një vrasje që ndodhi në Suharekë, rast për të cilin policia po kryen hetime.























