Vrasja në Graçanicë, 48 orë ndalim për të dyshuarin (E plotësuar)
BKT
Foto: Valjeta Shala / RTK
Kronika

Vrasja në Graçanicë, 48 orë ndalim për të dyshuarin (E plotësuar)

Jeton Musliu / RTKlive

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se zyrtari policor i cili dyshohet se vrau vëllain e tij në Graçanicë është ndaluar për 48 orë.

E diel/ 08.05.2022

Sipas njoftimit për media thuhet se të shtunën e 7 majit, prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Rënda, është njoftuar nga policia për të shtëna me armë zjarri në fshatin Gushtericë të Graçanicës.

E njëjta i është përgjigjur vendit të ngjarjes me njësitë e tjera relevante, ku në vendin e ngjarjes ekipi mjekësor ka konstatuar se një person ka mbetur pa shenja jete, si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat me armë zjarri.

“Me urdhër të prokurores është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh personi me inicialet M.Sh., (zyrtar policor), në drejtim të veprës penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 173 të KPRK-së, pasi dyshohet se i njëjti ka privuar nga jeta tani të ndjerin D.Sh., (vëllain e tij), ndërsa trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim të plotë me policinë dhe IPK-në, janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të ndriçimit të gjitha rrethanave në këtë çështje penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Po ashtu, Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor, ndaj të dyshuarit do të ushtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë penale, në gjykatën kompetente.

E shtunë/ 07.05.2022

Vrasja në Gushtericë të Graçanicës në fotografi (E plotësuar)

Ekipet e forenzikës kanë qëndruar për disa orë në fshatin Gushtericë të Graçanicës, në vendin e krimit.

Aty një polic që ishte jashtë detyrës, dyshohet se e vrau me armë zjarri, vëllanë e tij, të moshës 70 vjeç.

Valjeta Shala, gazetare e RTK-së, nga vendi i ngjarjes, raporton se vrasja ka ndodhur në afërsi të shtëpive të dorasit dhe viktimës.

Dyshohet se motivi i vrasjes është mosmarrëveshja për pasuri, ndërmjet dy vëllëzërve.

Personi që dyshohet se kreu vrasjen është arrestuar kurse trupi i pajetë ka qëndruar për disa orë në vendin e ngjarjes, derisa ekipi i forenzikës ka kryer procedurat profesionale, për t’u larguar rreth orës 19:20. 

RTKlive sjell në vazhdim forografi nga vendi i ngjarjes.

19:20

Vëllai vret vëllanë në Gushtericë të Poshtme të Graçanicës (E plotësuar)

Shtetasi i Kosovës M.Sh, i nacionalitetit serb, pjesëtar i Policisë, është arrestuar pasi dyshohet se me armë zjarri, vrau shtetasin D. Sh, 70 vjeç.

I dyshuari dhe viktima, bazuar në informacionet paraprake të siguruara nga RTKlive, janë vëllëzër mes vete.

Jozyrtarisht, RTKlive ka mësuar se polici që u ndalua si i dyshuar për vrasje, në momentin që kreu krimin, nuk ishte në detyrë.

Megjithatë mbetet e paqartë ende nese vrasja është kryer me armën zyrtare.

Dyshimet e para janë se vëllëzërit kishin një mosmarrëveshje familjare në lidhje me pasurinë, e cila përfundoi me vrasje.

Si viktima ashtu edhe i dyshuari, janë nga Gushterica e Poshtme e Graçanicës, ku edhe jetojnë, kurse i arrestuari si i dyshuar, shërben si polic në stacionin policor në Graçanicë. 

RTKlive kontaktoi stacionin policor në Graçanicë, për të marrë informacione të tjera për rastin, por ata thanë se nuk janë kompetentë për t’u deklaruar për media. 

Ndërkohë, para disa minutash, zyrtarë të policisë në Prishtinë, konfirmuan rastin, por pa dhënë shumë detaje.

Ora 17:30

Polici i dyshuar për vrasjen në Gushtericë të Graçanicës (E plotësuar)

Vritet një person në fshatin Gushtericë e Poshtme. Policia e konfirmon për RTKlive se sot rreth orës 15:00, ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në këtë fshat.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të cilat kanë hasë në një person pa shenja jete”, deklaroi Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Priahtinës.

“Vdekjen e viktimës (mashkull) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, tha Ahneti për RTKlive.

Ajo sqaroi se personi i dyshuar ( zyrtar policor) është arrestuar, ndërkohë që aktualisht hetuesit policor në bashkëpunim me Inspektoratin Policor, kanë nisur një hetim për sqarimin e të gjitha rrethanave që lidhen me rastin . 

Ora 16:45

Vrasje në Gushterricë të Graçanicës

Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar nga të cilat dyshohet se ka mbetur i vdekur një person.

Në fshatin Gushterricë të komunës së Graçanicës, dyshohet se ka ndodhur një vrasje.

Vrasja ka ndodhur gjatë një shkëmbimi me armë zjarri.

RTKlive ka kontaktuar Policinë e Kosovës, por ende nuk ka konfirmim zyrtar. 

Sidoqoftë, jozyrtarisht mësohet se personat e përfshirë në rast janë të afërm.

Në vazhdim, RTKlive do të sjellë informacione plotësuese.


MË SHUME NGA Kronika