Ngritet aktakuzë ndaj tre personave për fajde
Foto: Prokuroria Themelore në Pejë
Kronika

Ngritet aktakuzë ndaj tre personave për fajde

Emine Hoti /RTKlive

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër tre personave dhe atë të pandehurve, H.T, dhe A.V për veprën penale “Fajdeja”, për veprën penale “Ndihma e kryerjes se veprës penale fajdeja” dhe veprën penale “Kanosja”.

Sipas njoftimit për media, thuhet se sipas aktakuzë, të pandehurit H.T. dhe A.V., nga janari i vitit 2020 e në vazhdimësi deri më datë 15 shtator 2021, i kanë dhënë shuma të ndryshme të parave me kamatë viktimës.

Tutje thuhet se i pandehuri H.T, nga muaji janar 2020 e në vazhdimësi deri më 15.09.2021 në Deçan, duke e ditur gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit i jep këtij të fundit para me kamatë në shuma të ndryshme, me vlerë të përgjithshme 18.200 euro, për të cilat i dëmtuari çdo fillim të muajit deri më datën 3, me përjashtim të vonesave për të cilat gjobitej, paguan nga 2.000 euro fajde, ashtu që deri më datën 15.09.2021 i pandehuri H.T, realizon dobi pasurore në emër të fajdesë në vlerë prej rreth 20.000 euro pa e llogaritur shumën bazë ku së bashku me të i pandehuri ia kërkon edhe 25.000 euro dhe ia ndal fajdenë.

“I pandehuri A.V., në fillim të janarit 2020 në Llabjan të Pejës, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit, i jep atij para me kamatë në vlerë të përgjithshme 10.000 euro, por për shkak të vonesave ia kërkon 15.000 euro, për të cilat i dëmtuari në emër të kamatës, duke përjashtuar vonesat, çdo muaj paguan nga 2.200 euro dhe atë 1.000 euro çdo fillim muaj dhe 1.200 euro me datën 16 të secilit muaj, për çka deri më 15.09.2021 i pandehuri A.V., realizon dobi pasurore në emër të fajdesë në vlerë rreth 20.000 euro dhe ia kërkon edhe 5.000 euro fajde dhe 10.000 euro të borxhit”, thuhet në njoftim.

Siç bëhet e ditur i pandehuri A.Ç., sipas aktakuzës, ka aranzhuar takimet dhe me dashje ka ndihmuar të pandehurin H.T. për të kryer veprën penale “fajdeja” nga janari i vitit 2020 deri në shtator të vitit 2021.

“Po ashtu, i pandehuri A.Ç., akuzohet edhe për veprën penale “kanosje”, sepse më datë 15 shtator 2021, kanos seriozisht viktimën derisa ishe me të njëjtin në veturë, për t’u takuar me të pandehurin H.T., gjatë rrugës e kanos seriozisht me fjalë se do t’i shkaktojë një të keqe.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se tre të pandehurit secili veç e veç kanë kryer veprat penale të cilat iu vihen në barrë. Prokurori i shtetit i ka propozuar gjykatës kompetente, që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat ju vihen në barrë”.

Po ashtu, prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që të pandehurve t’u bëhet sekuestrimi i përhershëm i pasurisë, përfshirë pronat, veturat dhe parat të cilat janë përfituar përmes veprës penale apo kanë mundësuar kryerjen e saj.

Njëkohësisht, në këtë çështje penale ka filluar të aplikohet Ligji për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar.