Kërkohet paraburgim për burrin që dhunoi të miturën
Kronika

Kërkohet paraburgim për burrin që dhunoi të miturën

Emine Hoti /RTKlive

Prokuroria Themelore e Gjakovës ka kërkuar që t’i caktohet masa e paraburgimit një të dyshuari për dhunimin e të miturës.

Sipas Prokurorisë, Sh. Ll. dyshohet se në mes të datave 3 dhe 5 maj, me përdorim të forcës e ka detyruar një të mitur që të kryej akt seksual pa pëlqimin e saj.

Në raportin e Prokurorisë thuhet si i njëjti e kishte futur të miturën në automjetin e tij, për ta dërguar më pas në Junik, ku edhe dyshohet se e dhunoi.

“I pandehuri fillimisht e takon dhe përshëndet të dëmtuarën në rrugë, por e njëjta nuk ndalon dhe vazhdon rrugën, ndërsa i pandehuri e përcjell dhe përsëri e takon të dëmtuarën duke e ftuar për kafe në një lokal në Gjakovë. Pasi qëndrojnë për një kohë në lokal, i pandehuri më pas e fut të dëmtuarën në automjet dhe e dërgon në shtëpinë e tij në Junik, dhe gjatë qëndrimit në shtëpi i pandehuri me përdorim të forcës dhe pa pëlqimin e saj tri herë kryen marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën, derisa e dëmtuara arrin që të del nga dritarja e shtëpisë, largohet nga vendi i ngjarjes dhe paraqet rastin në polici”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori i rastit ndaj të pandehurit Sh. Ll., ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh.

I pandehuri, me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 11 maj 2022.