Për dënimin e ish zyrtarëve të Prizrenit, reagon Haskuka
Foto: RTK
Kronika

Për dënimin e ish zyrtarëve të Prizrenit, reagon Haskuka

Emine Hoti / RTKlive

Ish-kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka reaguar pas shpalljes fajtor për keqpërdorim të detyrës ndaj dy ish-zyrtarëve të kësaj komune.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Haskuka ka thënë se nga sot rrënimi i objekteve pa leje në Kosovë duhet të trajtohet si “keqpërdorim detyre”.

Tutje , Haskuka përmendi Vettingun, e që sipas tij duhet t’i jepet prioritet.

“Kosova vend i çudirave”.

“Vettingu në drejtësi prioritet mbi prioritet”, ka shkruar Haskuka.

Ndërkaq, sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë rrënuar aneks-objektin e “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Islam Thaqi, ish-drejtor i Inspektoratit dhe Jetmira Vrenezi, ish-udhëheqëse e sektorit të Ndërtimtarisë, janë dënuar me nga 3 vjet burgim dhe me nga 2.000 euro gjobë.

Ora  14: 52

Gjashtë vjet burg për dy zyrtarët e Prizrenit për rastin “Abi Çarshia”

Gjykata Themelore në Prizren, të martën, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Islam Thaqi dhe Jetmire Vrenezi për keqpërdorim të detyrës zyrtare për rastin “Abi Çarshia”. Të njëjtit i ka dënuar me nga tri vite burg dhe 2 mijë euro gjobë.

Ndërsa, të akuzuarit tjerë në këtë rast Egzona Morina- Thaçi, Arian Taraku, Isë Bislimaj, dhe Shqipron Krasniqi janë liruar nga akuzat.

Aktgjykimi për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar” është shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Kimete Kicaj.

Gjykata ka shpallur aktgjykim dënues ndaj dy të akuzuarve, dhe aktgjykim lirues ndaj katër të akuzuarve,

Në aktakuzë thuhet se më 19 korrik 2019, dhe 21 korrik 2019, në Prizren në objektin “Abi Çarshia” të akuzuarit në cilësinë personave zyrtarë duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” Sh.P.K., Prizren.

Sipas aktakuzës, të njëjtit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e ankesit në fjalë, është në vlerë prej 69,729.66 euro.

I dëmtuari “Abi” Sh.P.K., për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest të rregullt civil.

“Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarit i GJYKON:

-Të akuzuarin I.Th., Dënim me GJOBË në shumën prej 2.000 (dymijë) euro, dhe Dënim me BURGIM në kohëzgjatje prej tre (3) viteve

-Të akuzuarën J.V., Dënim me GJOBË në shumën prej 2.000 (dymijë) euro, dhe Dënim me BURGIM në kohëzgjatje prej tre (3) viteve”, thuhet në vendim.

 

 


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa