Nuk gjendet mjet shpërthyes në ‘Xhevdet Doda” (E plotësuar)
Qëndresa Duraku / RTK
(E plotësuar, ora 13:52) Asnjë mjet shpërthyes nuk është gjetur në shkollën e mesme të lartë ‘Xhevdet Doda’ në kryeqytet, si rrjedhojë operacioni i policisë ka përfunduar. Njësitë e policisë, zjarrfikësit dhe autoambulanca tashmë janë largu nga vendi i ngjarjes. Hyrjet dhe daljet e rrugës pranë shkollë tashmë janë liruar për qarkullim.
Alarm për mjet shpërthyes në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot rreth orës 11:00 është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë.
Informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike.
Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën në atë zonë.
Ndërkohë që në një perimetër të caktuar policia ka evakuuar nxënësit dhe personelin e shkollës, specialist të policisë po trajtojnë dhe verifikojnë informatën.
Një ditë pas alarmit të rremë për vendosje të një mjeti shpërthyes në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, një tjetër paralajmërim i ngjashëm ka ardhur, kësaj radhe në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë.