Në aksionin “Gropa”, bien 10 persona e 70 kg heroinë (E plotësuar)
Foto: RTK
Kronika

Në aksionin “Gropa”, bien 10 persona e 70 kg heroinë (E plotësuar)

Emine Hoti/ RTKlive

Një operacion antidrogë është zhvilluar sot në Ferizaj, ku janë sekuestruar rreth 70 kilogramë substancë narkotike të llojit heroinë.

Prokuroria në Ferizaj ka njoftuar se në operacionin e quajtur “Gropa” kanë arrestuar dhjetë persona.

Lidhur me këtë operacion, Prokuroria Themelore në Ferizaj, në orët e mbrëmjes ka mbajtur edhe një konferencë për media ku ka dhënë më shumë detaje.

Kryeprokurori Shukri Jashari ka deklaruar se pas një hetimi disamujor, sot në orët e hershme të mëngjesit janë kryer disa bastisje në shtatë lokacione të ndryshme në rajonin e Ferizajt.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Ferizaj, në bashkëpunim të plotë me Policinë e Kosovës, me njësitin antidrogë në regjionet e Ferizajt, si dhe me bashkëpunim me Gjykatën Themelore në Ferizaj, pas një hetimi disamujor dhe pas aplikimit të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, sot në orët e hershme të mëngjesit ka kryer disa bastisje në shtatë lokacione të ndryshme, respektivisht në regjionin e Ferizajt, në komunën e Shtërpcës dhe komunën e Ferizajt”, ka thënë Jashari.

 Ai ka bërë të ditur se, gjatë bastisjes janë gjetur 67.5 kg të llojit narkotik kaptagon, narkotik sintetik.

 “Ky është lloji i parë i këtij narkotiku që është sekuestruar në Republikën e Kosovës. Ky lloj ka qenë i paketuar në qese nga 500 gramë, ku dyshohet edhe për një sasi tjetër të këtij lloj narkotiku, që policia dhe njësia antidrogë është në hetim e sipër, për të cilën dyshohet që po ashtu është në komunën e Ferizajt”, ka sqaruar Jashari.

 Kryeprokurori  Jashari ka thënë se janë zbuluar edhe dy laboratorë ku është bërë përpunimi i drogës. 

“Për shkak se kjo ka ardhur si lëndë e parë nga Republika e Turqisë, pastaj është shpërndarë në dy lokacione në fshatin Firajë dhe në fshatin Varosh, ku kanë qenë dy laboratorë me pajisjet më të sofistikuara për përpunimin e narkotikëve”, ka nënvizuar kryeprokurori Jashari.

 

(Ora: 20:50)

Kapen 70 kg heroinë, 10 të arrestuar në Ferizaj

Shkurta Rrahmani/ RTKlive

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se në një aksion kanë arrestuar 10 persona dhe kanë konfiskuat 70 kilogramë heroinë.

Ndalohen 10 persona në Ferizaj për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, pas një pune të gjatë hetimore, me urdhër të saj dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës- Drejtorinë për Hetimin dhe Trafikimin e Narkotikëve, sot kanë realizuar aksionin “Gropa”, ku, me ç’rast janë kontrolluar dhe bastisur disa lokacione të ndryshme në Ferizaj dhe janë sekuestruar rreth shtatëdhjetë (70) kg substancë e dyshuar narkotike e llojit Captagon- (heroinë) dhe disa paisje për përpunimin e saj, ku me ç’rast janë arrestuar dhjetë (10) persona, nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës .

Lidhur me këtë aksion, Prokuroria Themelore në Ferizaj, do t’iu mbaj të informuar me kohë për të gjitha zhvillimet e tjera.


APR
Romay Lift