26 plumba në drejtim të Policisë, dje në fshatin Izvor të Zveçanit
Foto: Xhelal Sveçla/ Facebook
Kronika

26 plumba në drejtim të Policisë, dje në fshatin Izvor të Zveçanit

Emine Hoti/RTKlive

(E plotësuar/ 24.05.2022) Aksioni i Policisë dhe Doganave në fshatin Izvor të Zveçanit të hënën pasdite, rezulton të ketë qenë më i rrezikshëm për forcat e rendit, sesa që është raportuar.

Kjo bazuar në deklarimin  vetë policisë e cila në raportin e  saj të ngjarjeve në 24 orët e fundit, raporton se në drejtim të pjesëtarëve të saj, janë shkrepur 26 plumba.

Në këtë aksion, është shkatërruar një laborator i madh i drogës, ku janë sekuestruar rreth 10 mijë rrënjë kanabis të gatshme për treg, në vlerën e tregut prej 6 milion euro.

“Derisa njësitë policore ishin në kryerje të detyrës, të dyshuar të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtimi të zyrtarëve policor”, deklaron policia e Kosovës.

“Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar 26 gëzhoja të armës së zjarrit”

Policia deklaron se nuk ka pasur të plagosur kurse rasti nën hetime nga njësitë relevante, ndonëse deri më tash, nuk raportohet për ndonjë të arrestuar.

24.05.2022

Sveçla: Vlera e kanabisit të sekuestruar, 6 milionë euro (E plotësuar)

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar fotografi nga shkatërrimi i rrënjëve kanabis, të sekuestruara në aksionin e policisë në një fshat të Zveçanit.

Në këtë fotografi ku shihet një grumbull i madh kanabisi, një polic është fotografuar duke ia vënë zjarrin.

“Pas shkatërrimit të laboratorit në veri të vendit, Izvor, vlera e drogës së konfiskuar e cila tashmë po shkatërrohet ka rezultuar në vlerë 6 milionë euro ndërsa vlera e pajisjeve 1.5 milionë euro”, ka shkruar ministri Sveçla.

Nga aksioni i sotëm, policia deklaroi se ka sekuestruar e shkatërruar rreth 10 mijë rrënjë kanabis që ishte e gatshme për treg.

(Ora: 21:50)

Aksioni anti-drogë, 10 mijë fije kanabis ishin gati për treg (E plotësuar)

Policia e Kosovës zhvilloi një aksion anti-drogë në Izvor në veri të Kosovës. Policia zbuloi laboratorin për kultivimin e marihuanës me mbi 10 mijë fije bimë të gatshme për t’u shitur ilegalisht në treg

Ministri i Punëve të Brendshme,  Xhelal Sveçla, deklaroi se përgjatë këtij aksioni, zyrtarët e policisë dhe doganave janë gjuajtur me armë zjarri, por sipas tij, aksioni po vazhdon me sukses pa asnjë lëndim apo dëm material.

“Ky është rezultat i vendosmërisë së madhe duke bërë kështu që çdo ditë e më shumë vendi ynë të çlirohet nga krimi. Ju lumtë Policia dhe Dogana e Kosovës”, shkruan ministri në llogarinë e tij në Facebook.

Ndërkohë, aksionin e Policisë së Kosovës e ka mirëpritur edhe Lista Serbe.

“Lista Serbe mirëpret aksionin e Policisë nga rajoni i Veriut që u zhvillua sot me synim për të luftuar krimin në fushën e narkotikëve, me synim për të mbrojtur rininë tonë, fëmijët tanë”, shkruan në reagimin e kësaj partie politike nga pakica serbe.

(Ora: 18:35)

Aksioni në Zveçan nisi nga Dogana e përfundoi tek Policia (E plotësuar)

Nga të shtënat me armë në fshatin Rudinë të Zveçanit, nuk ka persona të lënduar. I gjithë rasti, sipas zëvendësdrejtorit të Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka nisur në një aksion kundër kontrabandës të ndërmarrë nga policia dhe Doganat e Kosovës.

Gjatë një aksioni të Doganës dhe Policisë,  në një objekt, ku dyshohej se kishte mallra kontrabandë, janë dëgjuar të shtëna armësh.

Nga Policia e Kosovës është thënë se gjatë një aksioni të nisur nga Dogana, është gjetur një laborator për prodhim të narkotikëve.

“Gjatë aksionit është parë se nuk është vetëm fushëveprim i Doganës, por për Policinë. Aty është gjetur një laborator i narkotikëve”, deklaroi Hoti për RTKlive.

Ai ka treguar se gjatë aksionit janë dëgjuar të shtëna dhe se policia e ka identifikuar lokacionin prej nga kanë ardhur.

Kjo ka ndodhur në afërsi të vendit ku po kryhej aksioni dhe nuk ka pasur ndonjë të lënduar.

Ndërkohë, ekipi i RTK-së ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe do të sjellë informacione më të detajuara.

(Ora: 18:00)

Në aksionin e policisë e doganave, të shtëna armësh në Rudinë të Zveçanit

Në fshatin Rudinë të Zveçanit, sot ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Ngjarja ka ndodhur në kohën kur atje ishin nisur të shkojë policia dhe pjesëtarë të Doganave të  Kosovës.

Fillimisht aksioni ishte ndërmarrë për çështje doganore, dyshime për kontrabandë, por më pas, është  vërtetuar se rasti hyn në domenin e policisë.

Ngjarjen për RTKlive e konfirmoi edhe Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës.

Hoti tha se nuk ka informacione nëse cak i të shtënave ishin policia e doganierët, por e konfirmon se ata i kanë dëgjuar të shtënat në këtë fshat.

“Ajo zonë është malore dhe nuk e dimë nëse cak kanë qenë policia”.

Sidoqoftë, ai konfirmon se policia ka shkuar në vendin e ngjarjes.

“Atje kanë gjetur edhe gëzhojat e plumbave të shkrepur”, tha Hoti për RTKlive.

 “Nga ky rasti nuk ka të lënduar. Policia ka dal në vendin e ngjarjes dhe po kryen shikimin e vendit të ngjarjes”, tha Hoti.

Policia e Kosovës, kohëve të fundit ka shtuar aksionet jo vetëm në veri, por në tërë vendin në luftë kundër krimit të organizuar.

Sot edhe në Ferizaj janë arrestuar 10 persona dhe kanë konfiskuar mbi 70 kg lëndë narkotike të llojit heroinë.


APR
Romay Lift