Alarm i rremë, nuk ka bombë në Rektoratin e UP-së (E plotësuar)
Qendresa Duraku/ RTK
Përfundon kontrolli në Rektoratin e UP-së. Pas alarmit për vendosje të mjetit shpërthyes, ka intervenuar policia.
Pas disa orës kontrolli, përfshirë edhe Njësitin K9, polica konkludon se alarmi rezulton të jetë i rrejshëm.
Një fakt të tillë e konfirmon për RTK-në, Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.
“Pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar, informata - alarmi ka rezultuar të jetë i rrejshëm”, tha Ahmeti.
Kjo është hera e dytë brenda një jave që alarmohet për vendosje të mjetit shpërthyes në objektin e Rektoratit të UP-së.
Alarm për bombë në Rektoratin e UP-së (Foto+ e plotësuar)
((E plotësuar, ora 13:40) Njësitët e Policisë dhe të zjarrëfikësve janë në vendin e ngjarjes duke e kontrolluar terenin.
Sërish është bllokuar Rektorati i UP-së, ora 12:49
Jeton Musliu/ RTKlive
Policia e Kosovës ka vendosur shirita për ndalim kalimi andejpari. Dyshohet se aty është vënë mjet shpërthyes.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, tha për RTKlive se rreth orës 12:00 është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Rektoratin e Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë.
"Informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën", tha ajo.
Ndryshe një alarm i tillë u dha edhe të martën e javës së kaluar, që rezultoi të ishte i rremë.
Policia ende nuk ka dhënë detaje lidhur me rastin.
Lajmi nga RTKlive është në plotësim.