Iu gjet drogë në veturë, arrestohet i dyshuari në Graçanicë
Emine Hoti/RTKlive
Sektori qendror i antidrogës në Prishtinë, pas një pune hetimore dhe operative, ka arrestuar sonte në Graçanicë një person pasi gjatë kontrollit të veturës së tij ka gjetur një qese me substanca narkotike.
Policia sqaron se pas ekzaminimit dhe matjeve fillestare ka rezultuar që substanca e dyshuar narkotike ishte e llojit heroinë në peshë 835.4 gramë.
"Pas konsultimit me prokurorin kompetent është kryer bastisja e një banese në lagjen “Dardania” ku është sekuestruar një telefon. Si prova/dëshmi materiale janë gjetur dhe sekuestruar një veturë e tipit “VW Caddy” me targa vendore, 835.4 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë, dhe katër telefona mobilë", deklaron policia.
Gjithëjë referuar policisë, i dyshuari mashkull kosovar Sh. L. është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore, Departamenti për Krime të Rënda, është dërguar në mbajtje për 48 orë.