Prokuroria: Arrestohet personi që dyshohet se vrau vëllanë dhe babanë
Foto: RTKlive
Kronika

Prokuroria: Arrestohet personi që dyshohet se vrau vëllanë dhe babanë

Jeton Musliu / RTKlive

Është arrestuar M.B., i cili dyshohet se të premten në mëngjes ka privuar nga jeta babain dhe vëllain e tij binjak gjatë një përleshjeje.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë në një komunikatë për media ka bërë të ditur se me urdhër të prokurorit trupat e pajetë janë dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

“Rreth orës 5 - 5.30 të mëngjesit në banesën në rrugën ‘Krajl Petri’ në Mitrovicë – Veri, i dyshuari M.B., për motive tani për tani të panjohura ka privuar nga jeta babain e tij M.B., dhe vëllain binjak U.B., me këtë i dyshuari ka kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’ nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 e 1.11 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Në bazë të hetimeve të para dyshohet se viktimat janë goditur në trup me thikë”, thuhet në komunikatë.

I dyshuari është arrestuar nga policia, dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë, dhe ndaj të njëjtit brenda afatit ligjor do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

(Ora: 13:20)

Për vrasjen e dyfishtë në Mitrovicë, policia arreston një të dyshuar

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar lidhur me vrasjen e dyfishtë në një familje në veriun e Mitrovicës.

“Policia e ka klasifikuar rastin si vrasje e rëndë e lidhur me dhunën në familje”, thotë Branislav Radoviq, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së veriut për RTK2.

Ai tha se vrasja dyshohet se është kryer nga MB (1993), ku janë vrarë babai i tij, MB dhe vëllai i tij, U.B. 

Policia konfirmon se mëngjesin e sotëm rreth orës 5:50, në banesën e familjes Radoviq, në rrugën ‘Mbreti Petër’ në Mitrovicën e veriut, në rrethana ende të pazbardhura, ka ndodhur  vrasje e rëndë. I dyshuari ka therrë me thikë viktimën i cili më vonë ka vdekur nga plagët e marra. Policia deklaroi se është arrestuar MB. 

“Në vendngjarje, policia është duke  hetimet, nën mbikëqyrjen e prokurorit. Njësia hetimore rajonale është duke kryer të gjitha veprimet e nevojshme për hetimin e kësaj vepre penale”, tha Radoviq.

(Ora: 10:40)

Policia konfirmon vrasjen e dyfishtë, brenda familjes në Mitrovicë

Policia e Kosovës e konfirmoi për RTK, vrasjen e dyfishtë që ndodhi sot në mëngjes në Mitrovicë.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti, deklaroi se policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po merret me rastin.

Në orët e mëngjesit, u raportua se në veriun e qytetit, ka ndodhur një përleshje brenda anëtarëve të familjes Bigoviq.

Djali ka sulmuar me thikë babanë, me ç’rast e ka plagosur rëndë.

Në rast është përfshirë edhe djali tjetër i kësaj familje, i cili dyshohet se duke i ndihmuar babait, ka vrarë vëllain e tij.

Më pas, babai i plagosur fillimisht është dërguar në spital derisa ishte në gjendje kritike për jetën, ku më pas ka ndërruar jetë. 

Bëhet fjalë për vëllezërit binjakë U. Bigoviq. dhe M. Bigoviq, ndërsa babai i tyre që mbeti fillimisht i plagosur, është avokati Millan Bigoviq. 

Motivet ende mbesin të paqarta.

(Ora: 09:10)

Vriten mes vete, babë e bir në Mitrovicë

KSP

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në një familjen në veri të Mitrovicës, ku kanë mbetur të vdekur dy persona.

Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se pas një mosmarrëveshjeje mes vete në familjen Bigoviq, ku janë përfshirë disa anëtarë të familjes, djali ka sulmuar me thikë babain me ç’rast e ka plagosur rëndë, ndërsa vetë ka mbetur i vdekur. 

Sipas këtyre burimeve, në këtë incident është përfshirë edhe djali tjetër i kësaj familje, i cili dyshohet se duke i ndihmuar babait, ka vrarë vëllain e tij.

Burimet më tej kanë shtuar se babai i plagosur fillimisht është dërguar në spital derisa ishte në gjendje kritike për jetën, ku më pas ka ndërruar jetë. 

Gjithnjë sipas burimeve të sigurta të KosovaPress-it, bëhet fjalë për vëllezërit binjakë U. Bigoviq. dhe M. Bigoviq, ndërsa babai i tyre që mbeti fillimisht i plagosur, është avokati Millan Bigoviq. 

I kontaktuar nga KosovaPress, zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq, ka konfirmuar lajmin për KosovaPress.

"Zyrtarisht nuk kam marr akoma ndonjë raport. Ajo që di deri më tani, bëhet fjalë për dhunë në familje ku ka edhe të vrarë", ka thënë shkurt Radoviq.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa