Mashtrimi me subvencione, 6 muaj burg për të akuzuarin F.M
Emine Hoti / RTKlive
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka dënuar me gjashtë muaj burg të akuzuarin F.M. për veprën penale mashtrim me subvencione, me propozimin dhe pajtimin e palëve që pjesa e mbetur e dënimit i zëvendësohet në dënim me gjobë 5000 euro, ndërsa koha e kaluar në paraburgim prej 30.06.2021- 12.11.2021 i llogaritet në dënimin me gjobë të shqiptuar.
Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i akuzuar F.M detyrohet që në emër të dëmit të shkaktuar të paguajë shumën prej 109 mijë e 520 euro dhe i është shqiptuar gjobë prej 5 mijë euro, teksa kohën e kaluar në paraburgim prej 30 qershor 2021 deri më 12 nëntor 2021 i llogaritet në dënimin me gjobë të shqiptuar.
“Të akuzuarit F.M i konfiskohet shuma e mjeteve në vlerë prej 27 mijë euro, ndërsa obligohet që në emër të dëmit të shkaktuar në mënyre solidare të paguajë shumën totale prej 109 mijë e 520 euro”, njofton gjykata.
“E dëmtuara Qeveria e Kosovës – Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në lidhje me kërkesat pasurore juridike udhëzohet në kontest të rregullt civil”, shkruan tutje në njoftim.























