Policia ndalon emigrantë ilegalë nga Bangladeshi
BKT
Foto: Policia e Kosovës
Kronika

Policia ndalon emigrantë ilegalë nga Bangladeshi

Emine Hoti/RTKlive

Policia e Kosovës njofton se mbrëmë në pikën kufitare të Vërmicës ka parandaluar një rast të kontrabandës me migrantë.

Sipas njoftimit të policisë pesë shtetas të Banglladeshit kanë hyrë ilegalisht në Kosovë dhe të njëjtit i ka pritur një mashkull kosovar drejtues i një taksie.

“Patrulla policore nga Stacioni për Mbikëqyrjen e Kufirit-Vërmicë, mbrëmë rreth orës 23:40, gjatë vëzhgimit të terrenit ka vërejtur disa lëvizje të dyshimta të disa personave nga pjesa malore që vjen nga Republika e Shqipërisë në drejtim të Republikës së Kosovës, kryesisht nga pjesa e “Folesë së Shqiponjës”.Gjatë vëzhgimit, janë vërejtur pesë persona të cilët nga pjesa e malit, zbrisnin në  drejtim të autostradës ku po i priste një veturë TAXI me targa vendore. Bëhet fjalë për pesë persona meshkuj, shtetas nga Banglladeshi, të cilët kishin hyrë ilegalisht në vendin tonë dhe qëllim kishin emigrimin në shtetet të perëndimit.Policia ka arritur ta ndalojë këtë transport, ka intervistuar drejtuesin e automjetit, të dyshuarin mashkull kosovar, 35 vjeçar, i cili deklaron se kishte qëllim që pesë emigrantët t’i dërgonte deri në Prishtinë”, shkruan në komunikatën e policisë.

Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar, është iniciuar rasti dhe me aktvendim nga prokurori i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë, kurse emigrantët dërgohen në Qendrën e Azilit. Ndaj tyre do të vazhdohet me procedurat e parapara për raste të tilla.

 


MË SHUME NGA Kronika