Astronomët e rinj të shkollës “Ismail Qemali”, në Prishtinë
Foto: RTKLive
Kosovë

Astronomët e rinj të shkollës “Ismail Qemali”, në Prishtinë

Kimete Kasumi/ RTKlive

Nxënësit e klasave të 7-ta, të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Ismail Qemali”, në Prishtinë, të njohur edhe si astronomët e rinj, bashkë me mësimdhënësen e tyre, Afërdita Tafallari, në përfundim të vitit shkollor kanë bërë përmbledhjen e temave në lëndën e mësimit zgjedhor, Astronomi.

Përveç udhëheqësve, mësimdhënësve dhe prindërve të shkollës, e pranishme ishte edhe drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati.

Drejtoresha e kësaj shkolle, Mimoza Krasniqi, deklaroi para të pranishmëve se ky sukses i nxënësve dhe arsimtares Tafallari, është puna që e kanë bërë për një vit akademik e që në fund ka dhënë edhe rezultate.

Arsimtarja Afërdita Tafallari, ndërkaq u shpreh tepër e lumtur me, siç i quante ajo, astronomët e rinj me punën dhe përkushtimin e tyre. “Ndjehem tepër e lumtur që puna dhe mundi njëvjeçar na është shpërblyer. Ia vlen që nxënësit të merren edhe me lëndë të natyrës së tillë, sepse është edhe një lloj pune shkencore, sepse çdo herë duhet hulumtuar për të rejat në këtë fushë”, deklaroi ajo.

Nxënësit të cilët prezantuan në këtë ngjarje ishin: Mark Krasniqi, Rea Gashi, Majda Begolli, Rea Kërveshi, Rea Çela, Diar Berisha, Bora Shaljani, Borë Raka, Albona Smajli, Leonat Balaj, Amra Ilazi, Nisa Zeka, Alton Zeqiri, nga klasët VII/2, VII/4, VII/6 dhe VII/8.

Pasi prezantuan projektet e tyre me tema të ndryshme në lëndën e Astronomisë, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, i pyeti nxënësit nëse mendojnë se ekzistojnë alienët, ku përgjigjja e shumicës ishte se mund të ekzistojnë. Derisa në Tokë ka jetë, ata thanë se mund të ketë forma të ndryshme jete në ndonjë planet tjetër.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa