Nagavci: Projektligji për tekste shkollore synon përmirësimin e cilësisë
BKT
Kosovë

Nagavci: Projektligji për tekste shkollore synon përmirësimin e cilësisë

KP

Ministria e Arsimit së bashku me Institutin ‘EdGuard’, sot, kanë organizuar diskutimin publik për Projektligjin për tekste shkollore, i cili u konsiderua që do të përmirësojë cilësinë e teksteve mësimore.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se ky projektligj mundëson bazë të mirë ligjore për tekste shkollore cilësore.

Ajo theksoi se synimi është të kenë autorë dhe recezentë sa më kompetentë që të bëjnë punën e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Synimi ynë është që në radhë të parë që të përmirësojmë cilësinë e teksteve mësimore sepse të gjithë jemi të vetëdijshëm që sado që sipas kurrikulës sonë burimet e mësimdhënies janë të shumta dhe të llojllojshme, tekste mësimore vazhdojnë të jenë burimi kryesor për mësimdhënës tanë e po ashtu edhe mjeti i parë e shpeshherë i vetmi edhe i prindërve dhe fëmijëve që duan të punojnë në shtëpitë e tyre. Andaj është kaq e rëndësishme që tekstet shkollore të jenë më cilësore. Po ashtu, synimi ynë është që të përcaktojmë edhe procedurat të sakta për hartimin, vlerësimin dhe botimin e teksteve shkollore, të rrisim transparencën dhe llogaridhënien në proces të vlerësimit dhe botimit të teksteve mësimore, të rrisim kapacitetet e autorëve dhe recezentëve për hartim dhe vlerësim të teksteve shkollore”, theksoi ajo.

Nagavci derisa shpalosi disa nga risitë që përfshinë ky draft theksoi se çmimet e librave do të jenë të arsyeshme. Ndërsa, nënvizoi se risi që sjellë projektligj për tekstet shkollore është aplikimi me dorëshkrime i cili do të bëhet drejtpërdrejtë nga autorët.

“Natyrisht synojmë që të kemi edhe çmime të arsyeshme të botimit të teksteve mësimore. Ky projektligj do të sjell disa risi, në proces dhe strukturë. Synojmë të themelojmë një sektor për tekstet shkollore dhe këtë do ta bëjmë përmes ristrukturimit të Institutit Pedagogjik ku do të kemi një sektor të veçantë i cili do të ketë përgjegjësi të parë dhe primare në favor të përmirësimit të cilësisë të teksteve shkollore. Aplikimi me dorëshkrime do të bëhet drejtpërdrejtë nga autorët dhe unë besoj që kjo është një nga risitë kryesore që i sjell projektligji e që ne besojmë që kjo do të ndihmojë që tekstet vërtetë të jenë në aspekt profesional të mira e të mos varen krejtësisht edhe nga faktorët tjerë që natyrshëm janë edhe çështje të interesave biznesore sepse e tillë është natyra e punës”, u shpreh ministrja e Arsimit.

E Rinor Qehaja nga Instituti ‘EdGuard’ teksa ka prezantuar detaje nga projektligji, ku tha se drafti ka gjithsej 41 nene dhe që lë mundësi për plotësim me legjislacion sekondar.

Qehaja theksoi se ky projektligj i hap rrugë përdorimit të teksteve shkollore digjitale dhe po ashtu të krijohen edhe materiale edukative për klasën përgatitore.

“Ky projektligj për herë të parë i hap derën për tekste mësimore digjitale që është pika më e rëndësishme, pra promovon dhe nxitë po ashtu për prodhim, hartim dhe vlerësim dhe botim të teksteve shkollore digjitale. Pjesë të këtij kapitulli i kemi edhe përkufizimet për mjetet shkollore dhe materialet edukative për klasën parafillore. Libri i mësimdhënësit do të jetë pjesë e pakos së teksteve shkollore për secilën lëndë mësimore dhe do të jetë i zhvilluar nga i njëjti autor sikurse autori i tekstit bazë mësimor së bashku me fletore pune”, u shpreh ai.


MË SHUME NGA Kosovë