4 vjet burg boksierit nga Kosova, që i vuri zjarrin një klubi në Austri
Foto: Gazeta "Heute"
Kronika

4 vjet burg boksierit nga Kosova, që i vuri zjarrin një klubi në Austri

Jeton Musliu / RTKlive

Drejtësia austriake është duke u marrë me një 23-vjeçar nga Kosova, me banim në Austri, që i ka vënë zjarrin një klubi nate, në Niederösterreich, 55 kilometra në perëndim të Vjenës.

Paraprakisht, 23 vjeçari, boksier, emri i të cilit nuk bëhet publik, ishte dëbuar nga aty. Ngjarja ndodhi në prill të këtij viti.

Siç raporton gazeta austriake  Heute”, boksieri pasi ishte dëbuar nga rojet e klubit,  është kthyer më vonë me një bidon të mbushur me benzinë dhe një shkrepës.

Dyshohet se i njeri ishte i dehur. Sidoqoftë, ai doli të hënën në bankën e të akuzuarve në në Wiener Neustadt, dhe mbi të rëndon akuza- tentativë për zjarrvënie.

Gazeta raporton se 23-vjeçari është nxjerrë me forcë nga një restorant në lagjen “Mödling” në fundjavën e parë të muajit prill.

Megjithatë, sportisti i dehur, ishte ndjerë i ofenduar, dhe me automjetin e tij, ka shkuar në një pikë karburanti ku ka mbushur një bidon benzinë.

Të njëjtën mbrëmje, ai është kthyer në klub duke marrë me vete edhe bidonin e mbushur me benzinë. Në atë moment, në lokal ndodheshin rreth 350 klientë.

Ai ka hedhur bidonin me benzinë mbi tendën e ngritur pranë lokalit, ku shërben si vend që të ftuarit të pinë cigare e ku në atë moment ishin rreth 25 klientë.

 Ai arrin të ndesh me shkrepës zjarrin e cili përhapet menjëherë në rreth 2 metra lartësi.

Megjithatë, zjarri u shua pas intervenimit të shpejtë me zjarrfikës të dorës.

Në gjykatë, ai i kërkoi mëshirë gjykatësit, duke shfaqur pendesë, pasi rrezikon 4 vjet burg.

“Katër vite burg – zoti gjyqtar, jam vetëm 23 vjeç, është shumë”, citon gazeta austriake, boksierin 23 vjeçar, në momentin kur ndaj tij u shqiptua ky aktgjykim, i cili megjithatë nuk është i formës së prerë.

Boksieri bëri një rrëfim pendese në seancë. "Kisha fituar një duel dhe doja të festoja dhe kërceja me miqtë e mi”, u arsyetua boksieri.

Sidoqoftë, ai ishte dënuar edhe më parë për dy vepra të ngjashme, prandaj dënimi mund të ishte, deri në 15 vjet burg.

 

 

 

 


Eurokoha
Vjosa
APR