​Policia jep detaje për aksionin në Leshak të Leposaviqit
Foto: Policia e Kosovës
Kronika

​Policia jep detaje për aksionin në Leshak të Leposaviqit

Emine Hoti/RTKlive

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka zhvilluar sot një kontroll tek një objekt në Leshak të Leposaviqit, ku ka gjetur pajisje për kultivimin e kanabisit.

“Policia e Kosovës pas hetimeve paraprake, sot ka parashtruar kërkesë për urdhër-kontroll në organet e drejtësisë për kontrollin e një objekti pronë e të dyshuarit G.J., në Leshak të Leposavicit, pasi në objekt dyshohej se kultivohej bima e kanabisit”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, pas marrjes së këtij urdhri, sot rreth orës 10:10, gjatë realizimit të kontrollit të objektit, në dy kate të tij, janë gjetur pajisje për kultivimin e kanabisit me vlerë qindra-mijëra euro.

“Laboratori ishte i pajisur mirë dhe ishte në gjendje të gatshme për të filluar mbjellja e bimëve të kanabisit, pra aty mungonin vetëm bimët, pasi gjithçka tjetër ishte e gatshme. Në konsultim me prokuroren ka filluar sekuestrimi i pajisjeve që janë gjetur në atë ndërtesë. I dyshuari gjendet në arrati, kurse policia do të vazhdojë me hetimin dhe kompletimin e rastit”, thuhet në njoftimin e policisë. 

Për gjetjen e laboratorit ka njoftuar përmes Facebook edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sveçla ka shkruar se çdo ditë e më shumë po e kuptojnë pse qarqe të caktuara nuk dëshirojnë shtrirjen e sundimit të ligjit dhe rendit në tërë Republikën e Kosovës.


APR
Romay Lift