Nuredin Lushtaku dorëzohet në polici
Foto: KP
Kronika

Nuredin Lushtaku dorëzohet në polici

Jeton Musliu / RTKlive

(Plotësuar: Ora 11:52) Nuredin Lushtaku dorëzohet në polici, kërkohet paraburgim edhe ndaj të dyshuarve tjerë.

Ish-komandanti i UÇK-së dhe ish nënkryetari i komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku është dorëzuar tashmë në polici.

Kjo pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicës për ndalim ndaj tij dhe kërkesës për paraburgim ndaj të dyshuarve të tjerë që ishin të përfshirë në sulmin ndaj policëve në Skenderaj.

Lajmin për dorëzimin e tij e ka konfirmuar Valon Preteni, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

Prokuroria në kërkim të Nuredin Lushtakut

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka lëshuar urdhër-arrest ndaj ish deputetit Nuredin Lushtaku, i cili së fundi ishte edhe nënkryetar i komunës së Skenderajt.

Ndërkohë, organi i hetuesisë kërkon paraburgim edhe për dy persona të tjerë.

Në njoftimin zyrtar, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, përkatësisht  Departamenti i Krimeve të Rënda,  kërkon nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarve Faton Lushtaku dhe Arif Lushtaku.

Prokuroria deklaron se ekziston  dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria deklaron se të dyshuarit F.L., A.L., dhe N.L, dyshohet se  me datë 2 korrik 2022,  rreth orës 23:45 në Skenderaj, kanë sulmuar E.B dhe M.G,  dy zyrtarë policorë të stacionit policor në Skenderaj.

Sipas prokurorisë, të njëjtit kanë qenë në detyrë zyrtare, dhe gjatë sulmit ka rezultuar me lëndime të tyre, pasi njëri është qëlluar  me predhë të armës në këmbë.

Pas grumbullimit të provave të mjaftueshme për këtë rast, prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka lëshuar vendimin për ndalim për të dyshuarin N.L.

“Por  i njëjti ende nuk është hasur nga policia dhe tani është në kërkim”, deklaron prokuroria.

“Posa të arrestohet, ndaj të njëjtit do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të veprave të lartcekura penale”, shkruan në njoftim.

Ky rast,  ndaj të cilit të dielen ka pasur reagime të shumta, është evidentuare dhe në raportin 24 orësh të policisë.

Policia deklaroi se  deri më tani janë intervistuar katër të dyshuar kurse  incidenti ka ndodhur për shkak të shqiptimit të një gjobe për kundërvajtje në trafik.

 


APR
Romay Lift