Suspendohen tre zyrtarë policorë, manipuluan me tiketë
Kosovë

Suspendohen tre zyrtarë policorë, manipuluan me tiketë

KP

Inspektorati Policor i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve policorë, një kapiteni, një rreshteri dhe një zyrtari policor, që të gjithë punonjës në Njësinë Rajonale të trafikut rrugor-NRTRR në Ferizaj, me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

IPK përmes rrugëve operative kishte pranuar një informatë se më 15.04.2022, zyrtarët policorë të NRTRR-Ferizaj e kanë ndaluar një qytetar për vozitje të shpejtë (104 km/h në zonën ku kufizimi i shpejtësisë ishte 50 km/h) dhe ia kanë shqiptuar tiketën në vlerë 500 euro, një vit ndalesë të drejtimit të mjetit motorik dhe pesë pikë negative.

Katër ditë pas shqiptimit të tiketës është anuluar tiketa e parë, i është kthyer patentë shoferi qytetarit dhe i është shqiptuar tiketë e re vëllait të qytetarit për vozitje pa patentë shofer duke e anashkaluar plotësisht Komisionin për Vendosje si autoritet i vetëm për anulimin ose jo të tiketave në trafikun rrugor, sidomos kur ka masë mbrojtëse.

Me këtë rast dyshimet e hetuesve të IPK-së janë se nga zyrtarët policorë, tashmë të suspenduar, është manipuluar tiketa dhe rasti, thuhet në komunikatë. 


APR
Romay Lift