Sindikata viziton policët e lënduar në detyrë
Jeton Musliu / RTKlive
Sindikata e Policisë së Kosovës i vizitoi sot dy zyrtarët policor të sulmuar me 2 korrik, derisa ishin në kryerje të detyrës zyrtare në Skenderaj.
Sindikata e Policisë së Kosovës deklaroi se ka vizituar dy zyrtarët policor, ku për së afërmi kuptoi gjendjen e tyre shëndetësore.
Në një komunikatë të lëshuar për media, sindikata u shpreh se pjesëtarët e policisë kanë marrë lëndime të rënda trupore, por që për momentin gjendja e tyre shëndetësore është stabile.
“Sindikata e Policisë u ofroi policëve mbështetje dhe po ashtu i siguroi këta të fundit se do të kenë përkrahjen e Sindikatës në çdo moment”, shkruan në këtë komunikatë.
Sindikata e Policisë së Kosovës, sërish dënon ashpër çdo sulm ndaj zyrtarëve policorë dhe çdo sulm ndaj policisë e konsideron si sulm ndaj shtetit.
Të dielën edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka quajtur të patolerueshëm sulmin ndaj dy policëve.
Dy pjesëtarët e policisë janë lënduar nga tre persona, të cilët janë arrestuar. Mes tyre, dyshohet se në rast janë përfshirë edhe ish deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ish nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku dhe familjarë të tij.
Këta të tre aktualisht ndodhet të ndaluar nga policia.