Me vendim të shtetit, në lokale duhet të shërbehet ujë falas  
Foto: RTKLive
Kosovë

Me vendim të shtetit, në lokale duhet të shërbehet ujë falas  

Jeton Musliu / RTKlive

Nga sot, secili lokal i gastronomisë në Kosovë, e ka për obligim ligjor që klientëve t’u shërbejë ujë në gotë që mbushet në  çezmë.

Sigurisht, në rast se lokali është i lidhur me sistemin e ujësjellësit.

Megjithatë, edhe në rast se lokali furnizohet me ujë nga puset ose rezervuarët, atëherë pronari e ka për obligim ligjor të kontrollojë pastërtinë e tij, dhe këtë duhet ta bëjë me certifikatë.

Ky është një vendim që e ka marrë qeveria e Kosovës dhe që obligon bizneset për shërbimin e klientëve me ujë nga rubineti, si dhe monitorimin e cilësisë së ujit të destinuar për konsum njerëzor në rastet kur objektet e gastronomisë furnizohen nga ujësjellësi publik.

“Në situatën kur objekti i gastronomisë furnizohet nga uji i puseve, rezervuarve apo rrjetit i cili nuk menaxhohet prej kompanive publike të ujit, pronari obligohet të bëjë monitorimin e cilësisë së ujit në përputhje me Udhëzimin Administrativ për cilësinë e ujit të destinuar për konsum njerëzor”, shkruan në vendimin e qeverisë.

“Në këto situata, pronari duhet të pajiset edhe me certifikatë të cilësisë së ujit nga Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike dhe të njëjtën duhet ta ekspozojë në lokal”.

Deri më tash në shumë lokale, sidomos në kryeqytet, nuk u është ofruar klientëve ujë nga rubineti.

Një vendim i tillë është i pari që merret në Kosovë.

 

 


APR
Romay Lift