12 ndërmarrje publike të audituara për financa, 7 me humbje, 5 me fitime
Foto: EO
Kosovë

12 ndërmarrje publike të audituara për financa, 7 me humbje, 5 me fitime

Jeton Musliu / RTKlive

Nga 12 ndërmarrje publike të audituara në lidhje me rezultatet financiare, rezulton se gjatë vitit 2021, shtatë prej tyre kanë operuar me humbje, me një total prej 17.3 milion euro.

Ndërkohë, vetëm  5 prej tyre kanë pasur fitime në shumën prej 3.3 milion euro.

Të dhënat u publikuan nga Vlora Spanca, Auditore e Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Ajo deklaroi se nga auditimi, rezulton se humbjet më të mëdha janë shënuar në Telekomin e Kosovës, ku gjatë vitit 2021, kjo kompani publike humbi  financiarisht 10.8 milionë euro.

“Humbja në Telekom ishte 66% e totalit të përgjithshëm të humbjeve”, tha Spanca në konferencë për media.

Më tej, Auditorja e Përgjithshme deklaroi se në auditimin e performancës në RTK-së,janë evidentuar kontroll i dobët i menaxhimit të stafit të rregullt, duke mos u respektuar edhe vendimet e bordit nga vetë menaxhmenti i RTK-së.

“Kjo i ka kushtuar RTK-së keqmenaxhim financiar për tri vite, në vlerë prej rreth 800 mijë euro”, tha Spanca.

Ajo sqaroi se parregullsitë kanë rezultuar me mungesë të llogaridhënies, transparencës dhe konkurrencës në menaxhimin e fondeve publike.

Megjithatë, gjatë vitit të kaluar pati edhe ndërmarrje publike që shënuan fitime, sikurse Termokosi.

“Fitimin më të madhe  ka realizuar termosi prej 1.9 milion euro apo rreth 49% e shumës së përgjithshme të fitimeve”, tha Spanca.

Spanca foli edhe për mangësitë që janë vërejtur tek hidrocentralet.

Ajo tha se Zyra kombëtare e Audimit ka treguar se nga analizimi financiar, që përfshinë fitimin dhe humbjen, gjatë viti 2021 shumica e ndërmarrjeve publike operuan me humbje.

Zyra Kombëtare e Auditimit i kishte planifikuar të kryejë 134 auditime për vitin 2021.  Deri me 30 qershor 2022, kjo zyrë ka dorëzuar 121 raporte të tilla e të gjitha janë publikuar dhe janë të qasshme për publikun.

Prej tyre, 110 janë auditim financiar e 11 janë për përformancë.

 


APR
Romay Lift