Arrestohet ofiqari, dyshohet se regjistroi persona me identitet të dyfishtë
Foto: RTKLive
Kronika

Arrestohet ofiqari, dyshohet se regjistroi persona me identitet të dyfishtë

Jeton Musliu / RTKlive

Policia e Kosovës njoftoi se është arrestuar zyrtari i gjendjes civile në Komunën e Prishtinës.

Ai është R.M , 64-vjeç, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit.

 “I arrestuari është zyrtar i gjendjes civile në Komunën e Prishtinës (ofiqar i Zyrës Lokale në Dardani)”, shkruan në njoftim.

Sipas policisë, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprat penale ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘falsifikim i dokumentit’, të cilat dyshohet se janë konsumuar kur i dyshuari ka regjistruar persona pa bërë verifikimin se a plotësohen kriteret për regjistrim duke bërë që disa nga të regjistruarit të krijojnë identitet të dyfishtë (identitet të Kosovës dhe një shteti fqinj).

“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe në cilësi të provave materiale janë sekuestruar përkohësisht: një telefon celular, 60 fishekë të kalibrit 7.62 mm, një karikator i armës, dokumente të ndryshme, certifikata, vërtetime të regjistrimit, foto të librave amzë dhe dokumente të tjera të personave të ndryshëm”, deklaron policia.

Me aktvendim të prokurorit, të dyshuarit i caktohet masa e ndalimit prej 48 orëve dhe dërgohet në qendrën e mbajtjes. 


APR
Romay Lift