IPK rekomandon suspendimin e dy zyrtarëve policorë
Foto: IPK/Facebook
Kronika

IPK rekomandon suspendimin e dy zyrtarëve policorë

Emine Hoti/RTKlive

Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e dy zyrtarëve policorë (një togeri dhe një zyrtari policor). Ata dyshohen se kanë dëmtuar kamerat e sigurisë në afërsinë e vendit të ngjarjes ku qe zhvilluar një operacion anti-drogë i Policisë dhe Doganës në fshatin Izvor të Zveçanit.

Në njoftim thuhet se hetuesit e IPK-së në konsultim me Prokurorinë e Shtetit janë duke ndërmarrë veprime hetimore ndaj dy zyrtarëve policorë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale  “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare” dhe “Dhënia e ndihmës kryeseve pas kryerjes penale”.

“Hetimi i këtij rasti është vazhdimësi e hetimit të rastit të mëhershëm ku IPK ka arrestuar një zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit” dhe “Manipulim me prova”, thuhet në njoftim.

Rasti i policëve ndërlidhet me aksionin për zbulimin e një laboratori të drogës në veri.


APR
Romay Lift