Arrestohen shtatë të dyshuar, prej tyre një zyrtar policor
Sh.Gashi/RTKLive
Në një operacion të realizuar mbrëmë në Pejë, hetuesit e Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar shtatë të dyshuar (një zyrtar policor dhe gjashtë qytetarë) të dyshuar se kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Inspektorati Policor i Kosovës përmes një komunikate thotë se IPK-së kishin pranuar informacione se një zyrtar policor (punonjës në Drejtorinë Rajonale të PK-së në Pejë) dyshohej se ishte i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme.
Në kuadër të veprimeve hetimore nga hetuesit e IPK-së mbrëmë është zbatuar urdhri i kontrollit në një lokal në rrugën “Hoxhë Tahsini” në Pejë meqë ekzistonte dyshimi i bazuar se aty ishte duke u zhvilluar aktiviteti i kundërligjshëm respektivisht dyshohej për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
,,Gjatë kontrollit nga IPK janë sekuestruar disa sende që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale në këtë rast. Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet në komunikatën e IPK-së.























