Arrestohen dy të dyshuar, mashtruan bashkatdhetarët me bileta fiktive
Foto: RTK
Kronika

Arrestohen dy të dyshuar, mashtruan bashkatdhetarët me bileta fiktive

E.Hoti/RTKlive

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se të enjtën, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe ATK-në, është realizuar një aksion në Prishtinë dhe Podujevë, ku janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje dy bashkëpronarët e agjencisë turistike “Prishtina Jet”, M.K. dhe A.B.

Sipas Prokurorisë Themelore ata dyshohet se kanë mashtruar udhëtarët duke u shitur bileta fiktive për udhëtim me aeroplan nga shtetet perëndimore në Kosovë me çmime shumë më të lira se çmimi në treg. Fluturimet nuk u realizuan asnjëherë, përkundër pagesave të bëra.

“Me këtë të dëmtuarve përpos dëmeve financiare u kanë shkaktuar edhe keqtrajtime psiqike, duke u maltretuar me familjarët e tyre nëpër aeroporte të ndryshme për realizimin e fluturimeve të premtuara rrejshëm nga të pandehurit”, thuhet në njoftimin nga Prokuroria.

Tutje thuhet se ata me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh, derisa ndaj tyre do të ndërmerren veprimet e mëtejme procedurale ligjore, si dhe, veprime hetimore ndaj rastit në fjalë, deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështje penale.


APR
Romay Lift