Aktakuzë ndaj tre personave për Kontrabandim me migrantë
Kronika

Aktakuzë ndaj tre personave për Kontrabandim me migrantë

E.Hoti/RTKlive

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve B.B., B.S dhe Xh.K., shtetas të Republikës së Kosovës, për shkak të veprës penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 277 par 1, të KPRK-së, lidhur me veprën penale të kryer në vazhdimësi “Kontrabandim me migrantë”, nga neni 164, paragrafi 1 dhe 2 lidhur me Nenin 31 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit siguruan lëndën e parë për prodhim të dokumenteve të falsifikuara dhe krijuan laborator për prodhimin e këtyre dokumenteve, duke bërë falsifikimin e letërnjoftimeve, patentëshoferëve, pasaportave, etj, në këmbim të shumave të ndryshme të parave në aktivitetin e tyre kriminal.

“Gjithashtu, të akuzuarit, në kohë të pacaktuar, deri më datën 23.04.2021, në Prishtinë, kanë vepruar si grup i organizuar kriminal dhe kanë kryer veprën penale “Kontrabandim me migrantë”, duke vepruar në role të ndara, si anëtar të grupit kriminal, me ç’rast kanë siguruar persona në Republikën e Kosovës, por edhe jashtë Republikës së Kosovës, që kishin për qëllim migrimin nëpër vende të ndryshme të Evropës dhe me qëllim që vetës t’i mundësojnë përfitime të kundërligjshme,  kontrabanduan shtetas të Republikës së Kosovës që kanë dashur të migrojnë në vendet e ndryshme, si në: Rumani, Itali, Francë, Mbretëri të Bashkuar, Zvicër, Kroaci, Slloveni, Spanjë etj.:, thuhet në njoftim.

Përveç kësaj, i akuzuari Xh.K., në periudhën kohore 2017 deri në shkurt 2022, nuk ka bërë deklarimin e të hyrave nga shitja dhe blerja, ka zhvilluar aktivitet ekonomik të kundërligjshëm, duke vepruar në kundërshtim me neni 63 të Ligjit nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe procedurat (LLATP), duke krijuar të hyra, të cilat nuk i ka deklaruar si obligim tatimor, me ç ‘rast ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën prej 28.517,51€ (pa i llogaritur ndëshkimet administrative), me ç’rast ka kryer veprën penale Shmangie nga tatimi nga neni 307 par. 2 lidhur me par. 1 të KPRK-së.


MË SHUME NGA Kronika