Kërkesat e SBASHK-ut, ministrja e Arsimit i cilëson të paarsyeshme
Venera Xhoxhaj/RTK
(Plotësuar) Ka filluar takimi i mësimdhënësve të komunës së Prishtinës me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Ajo tha se këto janë takime të rregullta në të gjitha qytetet për të diskutuar për çështjet që janë me rëndësi. Ministrja Nagavci tha se tashmë pas paralajmërimeve për grevë në arsim, nga ana e SBASHK-ut, do të diskutohet edhe për këtë çështje.
"Unë e njoh të drejtën sindikale për organizim, por jam e bindur se kërkesat e sindikatës janë të paqëndrueshme”, tha Nagavci. “Kërkesa ka qenë çështja e adresimit të koeficientëve për ligjin e pagave dhe kjo është përmirësuar”.
Ajo deklaroi se i kupton kërkesat dhe i ka parasyshë edhe zhvillimet e tjera globale. “Por besoj se do të jeni të vëmendshëm dhe të keni parasyshë edhe interesin më të mirë të nxënësve dhe nuk ka nevojë për presion", ka thënë Nagavci.

Tutje, ministrja e Arsimit ka thënë se veprimet e kohëve të fundit edhe të sindikatave por edhe të Asociacionit të Komunave, janë të sinkronizuara që të krijojnë pakënaqësi sociale.
"Shpresoj dhe pres që mësimdhënësit të jenë në detyrë me 1 shtator", tha ajo.
Një ditë para grevës në arsim, ministrja Nagavci takon mësimdhënësit
Dhjetëra mësimdhënës dhe drejtues të institucioneve arsimore të komunës së Prishtinës janë ftuar në takim nga Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Në Fakultetin e Edukimit, mësimdhënësit janë mbledhur duke iu përgjigjur ftesës së Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Prishtinës.
Ahmet Pllana, kryetar i Sindikatës së Arsimit në Komunën e Prishtinës, deklaroi se janë ftuar në takim nga MASHT-i, ndonëse u shpreh se nuk e di arsyen e këtij takimi.
Ndonëse në njoftim nuk bëhet e ditur për detajet dhe ato që do të diskutohet, Pllana thotë se greva në arsim është temë e pashmangshme.
Ai madje e sheh si presion nga ana e Ministrisë këtë takim.
"Nesër e shikojmë si sindikatë, por mund të thuhet se po bëhet presion”, deklaroi Pllana, duke rikujtuar se ky takim është ftuar një ditë para fillimit të grevës së paralajmëruar nga SBASHK-u.
























