SBASHK thirrje nxënësve: Mos shkoni në shkollë, ka grevë|Video
V. Xhoxhaj/ E.Hoti/RTKlive
Greva edhe më tej vazhdon. Kështu deklaroi Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, në një konferencë të jashtëzakonshme për media.
Një ditë para se zyrtarisht ku do të duhej të fillonte procesi mësimor me 1 shtator, Jasharaj deklaroi se nxënësit nuk duhet të shkojnë në shkollë sepse mësimdhënësit do të jenë në grevë.
Ai foli edhe për presionet që po bëhen nga Qeveria. “Nuk mund të bëhet asnjë presion e asnjë kërcënim për ndërprerje të grevës”, tha Jasharaj.
“ Ndërsa ata që do të vazhdojnë me presionet, ta dinë se ashtu siç kemi bërë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, ashtu do të bëjmë edhe me tjerët”, tha Jasharaj.
Ai u shpreh se SBASHK-u do të përgatisë nga zyrtarët ligjorë, kallëzime penale dhe do t’i dërgojë në organet përkatëse të drejtësisë.
“Pra le t’i ndalin shantazhet, le t’i ndalin kërcënimet dhe le të ofrojnë zgjidhje bashkërisht, duke u ulur e duke biseduar”.
Ai tha se grevën nuk po e bëjnë individët, por është vullnet i shprehur nga punëtorët e arsimit që nga çerdhet e deri në universitet.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se po të kishte mirëkuptim nga ana e Qeverisë, do të fillonin me vitin e ri shkollor.
Por sipas tij, të gjitha mundësitë janë harxhuar dhe me këtë rast punëtorët e arsimit do të jenë në grevë.
Ai kërkoi nga prindërit dhe nxënësit mirëkuptim, duke shtuar se nuk kishin zgjidhje tjetër.























