E rrah partneren hungareze, kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit
J.Musliu/RTKlive
Prokuroria Themelore në Gjakovë, kërkoi caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurit A.B, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Prokuroria njofton se, më 26 gusht 2022 në Gjakovë, konkretisht në shtëpinë e tyre të përbashkët, i pandehuri A.B., i shkakton lëndime trupore të dëmtuarës, T. J. G. (shtetase hungareze) viktimë e ndjeshme, grua shtatzënë, me të cilën ishte duke bashkëjetuar.
“Për shkak të dhunës së ushtruar ndaj saj në vazhdimësi nga i pandehuri, e dëmtuara kishte dalë nga shtëpia dhe kishte tentuar që të ikë për tu kthyer në shtetin e saj në Hungari”, njofton prokuroria.
“Të njëjtës i është vënë pas i pandehuri duke e kthyer dhunshëm në shtëpi, të cilën e mbyll në dhomë duke e goditur me rrip në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të dëmtuarës i shkakton lëndime trupore”, citon prokuroria pjesë të raportit mjekësor te lëshuar nga reparti i emergjencës së Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë.
Kështu, prokurori i rastit ndaj të pandehurit A.B., ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe i njëjti me urdhër të prokurorit gjenden në ndalim nga data 30 gusht 2022.























