Kanabis çokollatë me postë nga Belgjika në Durrës, arrestohen dy persona
BKT
Kronika

Kanabis çokollatë me postë nga Belgjika në Durrës, arrestohen dy persona

rtsh.al

Policia ka vënë në pranga 2 persona pasi u kapën në flagrancë teksa tërhoqën nga Dega Postare e Durrësit pakon me kanabis në formë çokollate të ardhur nga Belgjika. Policia bën me dije se janë arrestuar 22-vjeçari E. H., 22 vjeç dhe 28-vjeçari E. H., ndërsa janë sekuestruar pakoja me kanabis, në formë çokollate, një automjet tip “Hyundai” dhe 2 aparate celulare.

“Në vijim punës intensive policore dhe hetimore, me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, në kuadër të hetimit proaktiv të zhvilluar nga Prokuroria e Tiranës, strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim të vazhdueshëm me strukturat e sigurisë së Postës Shqiptare dhe DVP Durrës, bënë të mundur organizimin dhe finalizimin me sukses të operacionit policor të koduar “Green mail 3”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: -E. H., 22 vjeç dhe E. H., 28 vjeç, të dy banues në Durrës, pasi u kapën nga shërbimet e DVP Durrës, menjëherë sapo kanë terhequr nga Dega Postare Durrës, pakon me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, në formë çokollate, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një automjet tip “Hyundai” dhe 2 aparate celulare.

Nga veprimet hetimore rezulton se shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë trafikuar nëpërmjet postës, pakon me kanabis, nga Belgjika në drejtim të Shqipërisë. Vijon puna nga Njësia per Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në të. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme. Ky është operacioni i tretë policor i finalizuar brenda 3 muajve të fundit, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet postës, nga shtete të ndryshme. “Green mail” u finalizua më 30 qershor 2022 dhe rezultoi me sekuestrimin e rreth 1.3 kilogramëve kanabis, të sjella nga Mbretëria e Bashkuar dhe vënien në pranga të 2 shtetasve, ndërsa “Green mail 2”, u finalizua më 18 gusht të po këtij viti dhe si rezultat i tij u sekuestruan 2 pako me kanabis, të sjella gjithashtu nga Mbretëria e Bashkuar, si dhe u vunë në pranga 2 shtetas të tjerë”, njofton Policia.


MË SHUME NGA Kronika