Rexhaj: Zgjidhje për mësimdhënësit dhe të vazhdohet me ligjin për pagat
BKT
Kosovë

Rexhaj: Zgjidhje për mësimdhënësit dhe të vazhdohet me ligjin për pagat

Shqipe Gashi/RTKlive

"Shpresoj shumë se nesër do të gjejnë një mirëkuptim për ta realizuar kërkesën e anëtarësisë, për shkak se shuma prej 100 eurove nuk është një shumë që rëndon buxhetin e Kosovës" ka deklaruar eksperti i arsimit , Xhavit Rexhaj , në " Lajmet e fundit" në RTK.

Ai, më tej shtoi se, përderisa qeveria ka ofruar 50 euro dhe sindikata kërkon 100 euro, dallimi është mes një milionë e 250 mijë euro dhe 2milijon e gjysme brenda muajit, që nuk është dallim i madh për qeverinë.

“Për arsye se përderisa qeveria ka ofruar 50 euro dhe sindikata kërkon 100 euro, dallimi është mes një milion e 250 mijë dhe 2milion e gjysmë në muaj. Ky nuk është dallim i madh për qeverinë, ndërsa gjendja e mësimdhënësve është shumë e rënduar, prandaj qoftë 50 euro, qoftë 100 euro, nuk besoj që do t’i nxjerrë mësimdhënësit nga kjo gjendje e rënduar”, deklaroi Rexhaj.

Ai veç kësaj, tha se nesër duhet të kalohet kjo çështje dhe të vazhdohet me pjesën më të rëndësishme, e cila, sipas tij,  është ligji për pagat.

“Prandaj konsideroj se, që nesër, të dy palët do të duhej të merreshin vesh menjëherë për 50 euro a 70 apo 100 euro, siç e kam thënë unë dhe ta kalojnë këtë pjesën e lehtë të bisedës dhe të vazhdojnë me pjesën më të rëndësishme, e cila është ligji për pagat dhe në të cilën do të duhej të vihen themelet e një page pak më dinjitoze, më meritore, për mësimdhënësit e Kosovës”, shtoi  eksperti, Xhavit Rexhaj.

(E plotësuar) Përfaqësuesi i SBASHK-ut paralajmëron lëvizje të qëndrimeve

Muharrem Miftari/RTKlive

Shpresoj shumë se nesër do të gjejnë një mirëkuptim për ta realizuar kërkesën e anëtarësisë, për shkak se shuma prej 100 eurove nuk është një shumë që rëndon buxhetin e Kosovës.

“Derisa në takim janë të ftuar edhe Këshilli Grevist, besoj shumë se kërkesat tona do të jenë të mirëkuptuara dhe të realizueshme, meqë do të arsyetohen nga ky këshill, si dhe kryeministri ka mundur të analizojë situatën deri më tani”, tha Imer Imeri, nënkryetar i SBASHK-ut, në “Lajmet e fundit”, në RTK.

Sipas tij, çelësi i zgjedhjes është qeveria, teksa shtoi se takimet e mëparshme kanë qenë takime përgatitore, derisa shfaqi shpresën se “do të mund të lëvizin diçka, sidomos me ligjin e sigurimeve shëndetësore dhe të skemave pensionale”.

Ndërkaq lidhur me shumën e ofruar nga pala e qeverisë, përfaqësuesi i i SBASHK-ut tha se mund të lëvizin qëndrimet, nëse ofrohet shuma prej 90-80 eurove, ndërkohë që shuma prej 50 eurove, sipas tij, nuk ka qenë ndonjë gjë që vlen, që, sipas tij, ka qenë një ndihmë.

“Cilado shumë që të jetë, duhet të jetë në pagën bazë, që është kërkesë e jona, ngase janë të qëndrueshme dhe duhet të jenë deri në zbatimin e ligjit për paga, meqë kjo shtesa që është dhënë për katër muaj, ka qenë një ndihmë e përkohshme dhe në janar na gjen në të njëjtën situatë. Prandaj ne kemi këmbëngulur që, cilado shumë që të jetë, duhet të jetë në pagën bazë”, tha nënkryetari i SBASHK-ut, Imer Imeri.

Tutje, i pyetur në përshkallëzimin e situatës së krijuar tani, ai shfaqi shpresën se gjatë javës do të gjendet një marrëveshje për t’i ikur përshkallëzimit të situatës së krijuar, ndonëse, sipas tij, ka kërkesa nga disa komuna që të kalohet në protesta, por që Këshilli Grevist nuk e ka parë të arsyeshme që, tani për tani, të bëhet një gjë e tillë.


MË SHUME NGA Kosovë