30 ditë paraburgim të dyshuarit për vrasje të rëndë në tentativë
BKT
Foto: Gjykata Themelore në Pejë/Facebook
Kronika

30 ditë paraburgim të dyshuarit për vrasje të rëndë në tentativë

E.Hoti/RTKlive

Gjykata Themelore në Pejë -Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit XH.B, i dyshuar për vepër penale vrasje e rëndë e mbetur në tentativë dhe për vepër penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Siç njofton kjo gjykatë, të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh.

Gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi se tani është faza e hetimeve ku duhet të vërtetohet motivi i cili tani për tani është i panjohur, më pas duhet të sigurohet raporti mjeko-ligjor lidhur me natyrën e lëndimeve trupore, mjetin dhe pasojën e shkaktuar për të dëmtuarin, kanë për tu siguruar raporte, ka për tu ftuar dhe dëgjuar i dëmtuari, i cili për shkaqe të rënda shëndetësore nuk ka pasur mundësi të deklarohet, kanë për tu dëgjuar dëshmitaret si dhe vetë të pandehurin, ashtu që me gjetjen e mundshme te të pandehurit në liri ekziston rreziku se i njëjti në mënyre direkte apo indirekte mund të ndikoj tek dëshmitaret në drejtim të dhënies së dëshmive në favor të tij.

Sipas njoftimit të gjykatës, i dyshuari veprën penale e ka kryer në shtëpinë e tij, pasi ka tentuar ta privojë nga jeta viktimën e më pas ta marrë dhe ta varrosë, me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të krimit.

“Gjithashtu, duke pas parasysh peshën e veprës penale, rrethanat dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale, ku i pandehuri veprën penale e ka kryer në shtëpinë e tij ku në mënyrë dinake dhe me dashje ka tentuar ta privoj nga jeta viktimën e më pas të njëjtin ta marr dhe ta dërgoj në hapësirën në të cilin i pandehuri kishte hapur një varr me qëllim të varrosjes dhe zhdukjes së gjurmëve të krimit, më pas duke pas parasysh edhe raportet miqësore në mes të familjes së të pandehurit dhe viktimës dhe nga momenti i kryerjes së veprës penale këto raporte janë acaruar, të gjitha këto tregojnë rrezikun se me gjetjen e mundshme te të pandehurit në liri i njëjti mund ta përfundoj veprën e mbetur në tentativë apo ta kryer një vepër tjetër penale”, thuhet në njoftim.

 Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.


MË SHUME NGA Kronika