Përparim Rama i bën bilanc punës së tij, i numëron sukseset
Foto: RTKLive
Kosovë

Përparim Rama i bën bilanc punës së tij, i numëron sukseset

J.Musliu/RTKlive

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka bërë një bilanc punës së tij. Për shtatë muaj, nga janari deri në korrik, ai ka radhitur sukseset, ndër të cilat, e para figuron përfundimi i rrugës “Muharrem Fejza” në kryeqytet, për të cilën ai deklaroi e është kryer për 40 ditë.

Rama tha se kanë filluar punimet për rrugën “A”, përfshirë të gjitha instalimet nëntokësore, pastaj rruga Rimanishtë - Siqevë, që sipas tij, do të përfundojë gjatë muajit tetor.

Në këtë raport, ai nuk ka lënë pa përmendur edhe problemin me qentë endacakë, ku sipas tij, është krijuar task forcë për trajtimin e tyre, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e strehimores, është ndarë  lokacioni për parkun e kafshëve dhe është rritur buxheti për trajtimin e këtij problemi .

“Kemi nënshkruar marrëveshje me Policinë e Kosovës për vëzhgimin e hapësirave publike me kamera të sigurisë dhe kemi nënshkruar kontratën e re për mirëmbajtjen e sistemit ndriçues”, deklaroi kryetari i Prishtinës.

 Ai tha se është filluar procesi i rivitalizimit të Tregut të Gjelbër dhe është përzgjedhur lokacioni për ndërtimin e Spitalit të Kryeqytetit.

“Kemi përzgjedhur lokacionin për Pallatin e Operas dhe të Baletit dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, do të shpallim konkurs ndërkombëtarë këtë vit e kemi ndarë lokacionin për Liceun Artistik dhe kemi hapur tenderin për dizajnimin e Liceut”

Rama tha se komuna ka subvencionuar shtimin e serrave në zonat rurale, ka rritur numrin e bashkësive lokale në fshatra e në lagje të Kryeqytetit e për herë të parë në Kryeqytet, është nënshkruar kredi të butë me BERZh-in për projektin e efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike, shumë kjo prej 5 milion euro.

“Do të investohet në sistemin e ngrohjes në kopshte, shkolla dhe qendra të kujdesit shëndetësor primar si dhe kemi liruar hapësirat publike, kemi larguar shitësit ambulantë dhe kemi rivitalizuar ndërtesat e braktisura. Ndër to, Tullëtorja e qytetit, ish-bibilioteka ‘Hivzi Sulejmani’, si dhe ish-kinema ‘Rinia’”.

Më tej Rama deklaroi se ‘Unaza e Mesme e Prishtinës”, një ndër projektet më gjigante në nivel vendi, ku vlera e investimeve tejkalon 200 milionë euro, është nënshkruar me Ministrinë e Infrastrukturës dhe pritet të fillojë në vitin 2023 etj.


MË SHUME NGA Kosovë