Kamionët dëmtojnë rrugën ’Fehmi Lladrovci’| Video
Rtklive
Foto / RTK
Kosovë

Kamionët dëmtojnë rrugën ’Fehmi Lladrovci’| Video

Fatos Cervadiku / RTK

Shqetësuese për ngasësit e automjeteve të vogla është bërë rruga "Fehmi Lladrovci", konkretisht rruga që vjen nga rrethi i flamurit deri te QKUK-ja.

Nga peshat e rënda të automjeteve, rruga është dëmtuar dhe shumë qytetarëve, si pasojë e kësaj rruge, u janë dëmtuar automjetet e tyre. Nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se si rrugë pritet të trajtohet vitin tjetër, e dëmtimet mund të sanohen brenda vitit.

Rruga “Fehmi Lladrovci” që ndan Lagjen e Spitalit me Ulpianën në kryeqytet, është një nga arteriet e hyrjes në qytet nga më të ngarkuarat.

Ngasësit që kalojnë në këtë pjesë, po thonë se dëmtimet në këtë rrugë po u shkaktojnë vështirësi në komunikacion.

“Është problematike rruga, mundet me ardhë të ndonjë aksident si pasojë e ikjes prej saj kjo është gjendja momentale”, thotë një qytetar.

“E kemi vërejtur qe në mes janë disa pengesa, u prish rruga shumë edhe u bo rrezik me kalu prej një trake në traken tjetër”, është shprehur një tjetër qytetar.

Lidhur me këtë çështje, foli drejtori i investimeve kapitale në komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi.

“Tek rruga 'Fehmi Lladrovci' është menduar që në kuadër të mobilitetit të trajtohet si rrugë mobiliteti normalisht që do të tenderohet vitin tjetër dhe do të ndërhyhet në këtë segment. Do t'i shikojmë mundësitë që këto deformime brenda vitit t'i trajtojmë, por si rrugë do të trajtohet komplet në vitin 2023”, tha ai.

Sipas tij, ka mundësi që ngarkesat e mëdha të jenë shkaktare të dëmtimeve në këtë rrugë. E derisa komuna të intervenojë, qytetarët duhet të kenë kujdes gjatë qarkullimit nëpër këtë rrugë.


MË SHUME NGA Kosovë