Rasti i 400 kilogramëve me kokainë, arrestohen dy persona
Rtklive
Foto: PSRK
Kronika

Rasti i 400 kilogramëve me kokainë, arrestohen dy persona

Fadil Sertolli/ RTKlive

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), përmes një komunikate për media ka njoftuar se në vazhdim të hetimeve për rastin që ka të bëjë me sekuestrimin e 400 kilogramëve të substancave narkotike të llojit kokainë, janë arrestuar dy persona.

“Sot, më 23 shtator 2022, ka realizuar bastisje në dy lokacione, sipas urdhrit të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me ç'rast, përveç sigurimit të provave materiale, ka arrestuar dhe ndaluar dy (2) persona me inicialet H.SH dhe N.M, shtetas të Republikës së Kosovës, nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale”,  thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Tutje sqaron komunikata e prokurorisë se të dy personat dyshohen për vepra penale si në vijim: pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, si dhe për veprat penale të kryera në bashkëkryerje, pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare dhe frikësimi gjatë procedurës penale.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës do të vazhdojë procedurat e tjera ligjore në rastin konkret”, përfundon komunikata nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).  


MË SHUME NGA Kronika